Search

Afati për regjistrimin e mallrave në stoqe deri më 10 janar

Administrata Tatimore e Kosovës njofton se në bazë të Ligjit për Administratën Tatimore dhe Procedurat, tatimpaguesit duhet të regjistrojnë mallrat në stoqe në fund të vitit kalendarik.

Sipas Administratës Tatimore, regjistrimi i tillë duhet të jetë i gatshëm më së largu deri më 10 janar të vitit 2019.

Çdo tatimpagues, pa marrë parasysh qarkullimin vjetor, përveç mbajtjes së librave dhe regjistrave të parapara me ligj, kërkohet të kryejnë regjistrimin e mallrave në stoqe në fund të vitit kalendarik. Regjistrimi i tillë, duhet të përfundohet më, apo para datës 10 janar të vitit vijues dhe të jetë në dispozicion për inspektim me kërkesën e Administratës Tatimore të Kosovës.

Administrata Tatimore e Kosovës tregton se shënimet e regjistrimit të mallrave duhet të përfshijë emërtimin e mallit, njësinë matëse, sasinë, çmimin dhe vlerën e mallit, ndërsa regjistrimi i mallrave duhet të mbahet me çmimin e kostos.

Në fund, Administrata Tatimore i rikujton të gjithë tatimpaguesit, të cilët nuk respektojnë afatin e paraparë për të regjistruar mallrat në stoqe, se do të jenë objekt i masave ndëshkuese të parapara me legjislacionin tatimor të Kosovës. /Gazeta Ekonomia/