Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Air Albania lihet në harresë

Plani për ndërtimin e kompanisë kombëtare të fluturimit Air Albania vishet me dyshime.

Portali zviceran CH Aviation, i specializuar për zhvillimet në industrinë e aviacionit, shkruan se projekti Air Albania është lënë në harresë, ndërkohë që avionët e siguruar nga Turkish Airlines janë rikthyer në Turqi.

Ideja për krijimin e kompanisë kombëtare të fluturimeve u njoftua për herë të parë në korrik të vitit 2017, si një nismë e përbashkët e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Recep Tayyp Erdogan, ndërsa nisma u zyrtarizua një vit më vonë.

Në qershor të vitit 2018 u krijua kompania Air Albania me tre aksionarë, Turkish Airlines, MDN Investment dhe Albcontrol. Menjëherë pas krijimit, shefi i qeverisë shqiptare dha edhe afate konkrete se kur shqiptarët do të udhëtonin me kompaninë e tyre ajrore.

Belinda Balluku, ministrja aktuale e Infrastrukturës, në atë kohë drejtoreshë e Albcontrol, premtoi se më në fund shqiptarët do të shpëtonin nga çmimet e kripura të biletave që paguajnë aktualisht.

Por, plani i qeverisë rezultoi optimist, të paktën sa u përket afateve. Zyrtarisht, autoritetet shqiptare thonë se kompania është ende në proces për të marrë lejet e nevojshme nga organizmat ndërkombëtarë dhe se projekti po ecën sipas planit.

Zërat skeptikë mbi fatin e kompanisë janë shtuar ndjeshëm, jo vetëm brenda vendit, por edhe jashtë saj. /Top Channel/