Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Aksionet e bankave të Eurozonës arrijnë skajin e 1980-së

Normat negative të interesit, rënia e bonove, rregullimi më i madh dhe sinjalet në rritje të recesionit kanë zhdukur pjesën më të madhe të vlerës së bankave evropiane, me çmimet e aksioneve të tyre që tashmë i afrohen ditëve të Murit të Berlinit. Indeksi i bankave të mëdha të bllokut u zhyt të enjten në nivelin që arriti në vitin 2012, vit i cili shënonte kulmin e krizës së borxhit në zonën e euros.

Kjo do të thotë se bankat tashmë janë në situatën që ishin kur Greqia, Irlanda dhe Portugalia kishin nevojë për shpëtim, Qipro urdhëroi bankat e saj të mbanin disa depozita dhe bankat e Spanjës u shpëtuan nga kolapsi vetëm nga një plan qeveritar. Megjithëse rezultatet ende nuk përputhen plotësisht me fundin e krizës financiare të vitit 2008, indeksi ka humbur 84 për qind të vlerës së tij që nga kulmi në vitin 2007.

Tani është disa pikë larg niveleve të shënuara në vitet 1980, kur euro ishte thuajse një ëndërr dhe disa nga vendet që tani e përdorin atë ishin ende duke përdorur rubla sovjetike. Sektori më i gjerë bankar për bllokun tani vlen më pak se gjysmë trilion dollarë, rreth gjysma e madhësisë së Microsoft. Ai u ul rreth 3 për qind të mërkurën pasi ekonomia e Gjermanisë u tkurr dhe tregu i bonove të Shteteve të Bashkuara të Amerikës tregoi flamujt e kuq të recesionit.

Në kulmin e tyre të vitit 2007, bankat e eurozonës kishin një vlerë prej 1.7 trilionë dollarësh, shumë mbi vlerën e simotrave të tyre amerikane. Sot, ato janë vetëm një e treta e madhësisë së bankave në anën tjetër të oqeanit. Normat e interesit janë tashmë në territor negativ dhe tregjet po presin një ulje prej të paktën 20 pikësh bazike të tjera nga Banka Qendrore Evropiane, gjë e cila do të godiste fitimet tashmë të ulëta të bankave.

Megjithëse Banka Qendrore Evropiane ka premtuar disa masa lehtësuese siç janë niveli i depozitave dhe ulja e tarifës që bankat paguajnë për tepricat e parave të tyre, për të zbehur ndikimin e normave negative të interesit, ende nuk është e qartë se sa do t’i ndihmonin ato këto masa.

“Ne nuk presim që ajo të jetë veçanërisht bujare për sektorin bankar duke pasur parasysh besimin e Bankës Qendrore Evropiane se normat negative nuk po e dëmtojnë akoma përfitimin e bankave”, tha analisti kryesor bankar i Credit Suisse, John Peace.

Ekonomia më e madhe e Evropës, Gjermania, është gjithashtu në prag të një recesioni dhe ky fakt po i nervozon investitorët, pasi kjo mund të nënkuptojë që një krizë tjetër bankare po vjen.

“Shqetësimet këtë herë janë përqendruar kryesisht në përfitueshmërinë e tyre, në dallim nga hera e kaluar kur aftësia për të paguar ishte problemi kryesor. Kjo është thjesht pasoja e një dekade rregullatore shtesë, politikës monetare jokonvencionale dhe mashtrimit … Nuk ka dhe aq shumë mënyra që bankat të dalin nga kjo situatë”, tha Jerome Legras, kreu i hulumtimit në Axiom Investments Alternative.

Nga ana tjetër, bankat amerikane kanë tejkaluar Evropën me një diferencë të madhe në normat e interesit më të larta, performancë më të fortë në investimet bankare dhe me nivele të ngritura të kapitalit. Ata gjithashtu ishin të pasigurt nga kriza e borxhit sovran të Eurozonës.

Natixis beson se ‘kapitalizimi jo normal i ulët’ i bankave të Eurozonës do t’i bënte ato pre të lehtë për bankat amerikane.

“Niveli i ulët i kthimit të kapitalit gjithashtu parandalon që bankat evropiane të mbledhin kapital. Meqenëse nuk mund të zgjerohen, ata do të kenë më pak aftësi për të financuar bizneset në kontinent. Kompanitë evropiane që kërkojnë financim gjithnjë e më shumë do të duhet ta mbledhin atë nga tregjet ose ta huazojnë atë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose nga bankat e tjera të huaja”, tha analisti i Natixis, Patrick Artus. /Euronews/