Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

ANALIZË: Zvogëlohet numri i të lindurve, në 45 komuna rrezikohet nataliteti!, Maqedoni

Viti 2016 filloi me statistikë të zezë për të posalindurit. Në fakt, në tre muajt e parë kanë vdekur 61 foshnje, që në raport me katër tremujorët e vitit të kaluar 2015 paraqet nivelin më të ulët si numër absolut. Poashtu, në periudhën e analizuar ka pasur 29 foshnje të posalindura të vdekura. Sipas të dhënave zyrtare të Entit për statistikë, ky vit filloi me numër të zvogëluar të fëmijëve të posalindur të gjallë për 0,8% në krahasim me vitin e kaluar.

Në 45 komuna – ka zvogëlim të numrit të popullatës…

Kërçova, Koçana, Kavadari, Kumanova, Krusheva, janë disa nga komunat me rritje negative natyrore, gjegjësisht në këto komuna zvogëlohet numri i popullatës si rezultat i asaj se përqindja e mortalitetit (numrit të të vdekurve) është më e lartë se sa përqindja e natalitetit (numrit të të lindurve). Sipas të dhënave më të reja statistikore, në këtë grup të komunave dhe të qyteteve në të cilat zvogëlohet numri i popullatës vetëm si rezultat i këtyre faktorëve, bëjnë pjesë edhe Ohri, Prilep, Resnja. Në nivel të vendit, deri në fund të marsit të këtij vitit statistika ka regjistruar rritje natyrore prej 42 personash, mirëpo ajo që në mënyrë plotësuese mund të ndikojë negativisht mbi këtë pasqyrë është edhe shpërngulja e njerëzve, që në këtë metodologji nuk është përfshirë aspak, gjegjësisht nuk është llogaritur numri i atyre që janë larguar nga vendi, dhe si ndikon kjo mbi numrin e popullatës.

Në të njëjtën kohë, përderisa statistika ka regjistruar rritje negative në 45 komuna, gjegjësisht qytete, tremujori i parë i këtij viti përfundoi edhe me një trend negativ – rënie të natalitetit.

“Numri i fëmijëve të posalindur të gjallë në tremujorin e parë të vitit 2016, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, është zvogëluar për 0.8% dhe është 5.537 fëmijë të posalindur të gjallë”, theksojnë nga Enti statistikor.

Të dhënat tregojnë se deri në fund të muajit mars të këtij viti, në vend ka pasur 5.537 fëmijë të gjallë të posalindur ose për 47 më pak në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit 2015. Zvogëlim shumë të vogël ka te vdekshmëria e të posalindurve ose vetëm dy fëmijë të posalindur të vdekur më pak se sa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, mirëpo nga ana tjetër në periudhë prej tre muajsh kanë vdekur 61 të posalindur, që në krahasim me katër tremujorët paraprakë të vitit 2015 paraqet nivelin më të lartë.

Аnalizuar sipas komunave, në nivel vjetor, në numra absolutë, numër më të madh të rasteve të vdekjes së të posalindurve të vdekur ka në Shkup, Gostivar, Kumanovë, Tetovë dhe Strumicë.

Sipas të dhënave më të reja në nivel vjetor, në vitin 2015 në krahasim me vitin 2014 është regjistruar zvogëlim i numrit të foshnjave të posalindura të gjalla, ndërsa ka rritje të numrit të foshnjave të posalindura të vdekura. Në fakt, në vitin 2015 numri i foshnjave të posalindura të gjalla është zvogëluar për 2,2%. Kështu, vitin e kaluar ka pasur 23.075 fëmijë të posalindur të gjallë dhe në krahasim me vitin 2014 ky numër është zvogëluar për 52. Në vitin e njëjtë, në krahasim me vitin 2014, numri i foshnjave të posalindura të vdekura është rritur për 14.

Analiza krahasuese që e bëri Portalb.mk tregon se vitin e kaluar numri i foshnjeve të posalindura ka qenë në nivelin më të ulët që nga viti 2012. Ja se sa fëmijë kanë lindur në nivel vjetor: në vitin 2014: 23,596, në vitin 2013: 23.138 dhe në vitin 2012 kanë lindur 23.568 fëmijë. Me qëllim që t’i stimulojë familjet me shumë fëmijë dhe t’i kultivojë vlerat tradicionale, qeveria që nga viti 2007 realizon masa dhe fushata me këtë politikë të targetuar.

Hulumtimi i paradokohshëm i “Finance Think” kushtuar politikës së stimulimit të fëmijës së tretë tregoi se, në përgjithësi, masat kanë neto-efekt aktual negativ.

“Numri i fëmijëve të tretë të posalindur ka efekt minimal mbi përqindjen e përgjithshme të rritjes natyrore, përveç në vitet 2009 dhe 2010 kur paguhej shtesë edhe për fëmijën e dytë dhe të katërt. Treguesit bëjnë me dije se efekti i kësaj mase nuk përkon me qëllimin e përcaktuar, gjegjësisht numri i shtuar i fëmijëve të tretë të posalindur nuk mjafton që ta kompensojnë mungesën e fëmijëve të parë dhe të dytë të posalindur në numrin e përgjithshëm të fëmijëve të posalindur të gjallë”, thuhet në hulumtim. 

Gjendja me natalitetin në vend shkaktoi reagime partiake. Nga LSDM-ja opozitare akuzuan se qeveria aktuale zhvillon, siç thonë, politika kriminale në dëm të shëndetit.

“Në tre muajt e parë të këtij viti në vend kanë vdekur 61 foshnje të posalindura, që është informatë tmerruese për Maqedoninë. Për fat të keq vazhdon statistika e zezë. Sipas studimeve të fundit, vdekshmëria e foshnjeve të posalindura në Maqedoni tregon se në vend vdesin tre herë më shumë foshnje të posalindura në krahasim me mesataren e Ballkanit dhe të BE-së! Në Maqedoni vdesin më shumë se 14 foshnje në 1.000 të posalindur. Në komunat e Maqedonisë ku ka mungesë të gjinekologëve, vdesin mbi 30 foshnje në 1.000 foshnje të posalindura të gjalla, që është katastrofë”.

Këtyre akuzave iu përgjigjën nga VMRO-DPMNE-ja në pushtet, të cilët thonë se opozita me qëndrimet e këtilla zhvillon politike nekrofile.

“Për shkak të manipulimeve dhe trillimeve të nekrofilëve të LSDM-së, vetëm sa për krahasim, publiku duhet t’i dijë këto numra zyrtarë: në vitin 2004 në tremujorin e parë ka pasur 68 foshnje të posalindura të vdekura (për 10% më shumë se sa këtë vit), në vitin 2005 në tremujorin e parë ka pasur 83 foshnje të posalindura të vdekura (26.5% më shumë), ndërsa në vitin 2006 ka pasur 67 foshnje të posalindura të vdekura (9% më shumë se sa këtë vit). Këto numra tregojnë qartë se vdekshmëria e foshnjeve të posalindura në Maqedoni zvgëlohet, e dëshmi për këtë janë edhe të dhënat preliminare të Entit për nënat dhe fëmijët, në kuadër të SHSH Shkup për vitin 2015, sipas të cilave vdekshmëria e foshnjeve të posalindura në vitin 2015 shënon zvogëlim të konsiderueshëm dhe është 8.5 në 1.000 foshnje të posalindura të gjalla”, shkroi partia në pushtet në komunikatën e saj.

Deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti statistika publikoi se në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kalur, numri i martesave të reja është rritur për 12,1%, ndërsa numri i çifteve të shkurorëzuara është rritur për 20.5%.