Search

ATK dhe GIZ mbajtën punëtori të përbashkët

Dje është mbajtur punëtoria vjetore e organizuar nga Agjencia gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), me qëllim të diskutimit të arriturave gjatë vitit 2017, objektivat e Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) për vitin 2018 dhe përcaktimi i fushave të bashkëpunimit për vitin 2018, si dhe rezultatet nga anketimi me tatimpagues për vitin 2017.

Drejtori i Përgjitshëm i ATK-së, Sakip Imeri në këtë punëtori tha se “Jemi mirënjohëse dhe e çmon shumë bashkëpunimin me GIZ, i cili ATK-në e ka mbështetur që nga viti 2010, në ngritjen e kapaciteteve njerëzore, zhvillimet e tjera institucionale duke ndihmuar në ngritjen e njësive organizative me qëllim të realizimit të objektivave të organizatës dhe në modernizimin e disa proceseve të punës”.

Gjithashtu, në punëtori u diskutua edhe projekt i quajtur ‘Behavioral Insights’ ku ekipi i Bankës Botërore në bashkëpunim me projektin e GIZ-së për Reformën e Financave Publike në Kosovë dhe me Qendrën e Kompetencës për Qeverisje të Mirë Financiare të GIZ-it, është duke shqyrtuar mundësitë ‘behavioraliste’ me qëllim të rritjes së përmbushjes vullnetare të tatimeve në Kosovë.

Ky projekt për GIZ-në dhe ATK-në shërben si pilot projekt, për të zbuluar përfitimet e qasjes ‘behavioraliste’ në këtë fushë për të mobilizuar resurset publike.

Projekti do të zgjasë nga muaji janar deri në muajin dhjetor 2018. /Gazeta Ekonomia