Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Banka komerciale nga Shqipëria kërkon të futet në tregun e Kosovës

Në mbledhjen e sotme të Bordit Ekzekutiv të Bankës Qendrore të Kosovës u bë miratimi paraprak i kërkesës nga subjekti Banka Credins Kosovë, për licencim si bankë në vendin tonë.

Kërkesa për licencim nga Banka Credins Kosovë, e dorëzuar në BQK gjatë këtij viti është vlerësuar pozitivisht duke u bazuar në kërkesat e Ligjit për Bankat, Institucionet Mikrofinanciare dhe Institucionet Financiare Jobankare dhe të Rregullores për Licencimin e Bankave dhe Degëve të Bankave të Huaja.

Banka Credins Kosovë ka paraparë të ofrojë në tregun bankar të vendit tonë një gamë të gjerë të shërbimeve bankare bashkëkohore me kushte konkurruese.

Themelues dhe aksionar i vetëm i saj është Banka Credins SH. A. nga Shqipëria, e cila operon nga viti 2003 dhe është një prej bankave më të mëdha.

Gjatë periudhës së ardhshme konform legjislacionit në fuqi, subjekti Banka Credins Kosovë duhet t’i plotësojë të gjitha kushtet e përcaktuara ligjore për fillimin e operacioneve të saj.

Rrjedhimisht, me përcaktimin afirmativ të Bankës Qendrore të Kosovës rreth plotësimit të këtyre kushteve, subjekti Banka Credins Kosovë kualifikohet që potencialisht të marrë licencën për të operuar si bankë e re në vendin tonë, gjë për të cilën, opinioni publik do të informohet me kohë.