Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Banka Qendrore e Kosovës vendos tarifa të reja për sigurimin e automjetëve për pasagjerë [Dokument]

Me vendimin e ri të Bankës Qendrore të Kosovës për sigurimin e automjeteve për pasagjerë, qytetarët do të paguajnë 26.63 për qind më shumë krahasuar me tarifat aktuale.

Nga të dhënat e siguruara mund të shihet se, varësisht nga grupi tarifor, qytetarët do të paguajnë nga 15 euro deri në 66 euro më tepër.

Ky institucion ka njoftuar se nuk e ka miratuar kërkesën e kompanive të sigurimit për rritje prej 36.56 për qind, megjithatë, vendimi i marrë nuk dallon shumë me kërkesat e kompanive.

“Banka Qendrore në vlerësimin e saj ka identifikuar disa faktorë të cilët nuk janë reflektuar plotësisht në raportin aktuarial, prandaj edhe ka refuzuar kërkesën e kompanive të sigurimit për ndryshim të tarifave duke u bazuar në atë raport. Sidoqoftë, Banka Qendrore e Kosovës vlerëson se kompanive të sigurimit duhet t’u mundësohet përshtatja e tarifave të kategorisë së parë për shkallën e inflacionit të ndodhur gjatë periudhës 2002-2018 në mënyrë që këto tarifa të sigurimit të reflektojnë sa më mirë kushtet aktuale të ekonomisë”, thuhet në njoftimin e Bankës Qendrore të Kosovës.

Sipas vendimit, kompanive të sigurimit ju kërkohet që t’i përshtatin tarifat aktuale të primit të sigurimit të detyrueshëm nga autopërgjegjësia për grupin tarifor I, të cilat janë në fuqi që nga data 1 korrik 2001, me normën e inflacionit zyrtar të publikuar nga Agjencia e Statistikave të Kosovës të datës 01.01.2002 deri më 31.12.2018.

“Përshtatja e tarifës së primeve përkatëse me inflacion duhet të bëhet duke zbritur normën e tatimit në qarkullim prej 5 për qind e cila ka qenë në fuqi deri më 25 korrik 2019 me hyrjen në fuqi të Ligjit për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave, ku siguruesit ju nënshtrohen tatimit në fitim”, përfundon njoftimi.

Çmimet aktuale të primeve për sigurimin e detyrueshëm nga autopërgjegjësia ndaj palës së tretë kanë mbetur të pandryshuara që nga viti 2001. /Gazeta Ekonomia/