Search

Bankat po përpiqen ta përdorin Inteligjencën Artificiale

Bankat po tregohen gjithnjë e më shumë entuziast rreth potencialit që ka Inteligjenca Artificiale (IA) në financë, me shpresën se ajo mund të reduktojë kostot, si dhe do të rrisë të ardhurat.

IA ka bërë një progres të madh vitet e fundit dhe kompanitë e shërbimeve financiare po shikojnë për mundësinë e aplikimit të saj në investimet bankare dhe ato të shitjes.

“Bazuar në sondazhin tonë ‘UBS Evidence Lab’, në 86 banka, një skenar optimal me shpërndarje të kufizuar, Inteligjenca Artificiale mund të çojë në një rritje të të ardhurave me 3.4 për qind dhe me normë kursimi në 3.9 për qind në tre vitet e ardhshme”, shkruan Philip Finch, analist i ‘UBS’-së, në një artikull të titulluar ‘A është Inteligjenca Artificiale revolucioni i ardhshëm në shitjen bankare?’.

“Mendoj se e ardhmja e shërbimeve financiare është Inteligjenca Artificiale”, tha Barnaby Hussey-Yeo, themelues i ‘Cleo’, një aplikacion ‘chatbot’ që përdor IA për t’u dhënë njerëzve këshillat se si të përmirësojnë financat e tyre.

“Në thelb, ajo çfarë po përpiqemi të bëjmë është të ndërtojmë një Inteligjencë Artificiale që është pranë njeriut në mënyrën se si ndërvepron me financat tuaja. ‘Cleo’ duhet të punojë gjithnjë në interesin tuaj për t’iu ndihmuar të zgjidhni rrugën më të mirë të veprimit.

Në të ardhmen, ju nuk do të duhet të mendoni kaq shumë dhe të shqetësoheni për paratë sa sot. Ju mund t’i thjeshtoni të gjitha shërbimet financiare”, thotë ai.

IA mori një vemendje të veçantë në vitin 2017, falë suksesit publik të ‘DeepMind’ i ‘Google’, i cili mundi kampionin e botës të Go [lojë që luhet në tavolinë ndërmjet dy personave], Ke Jie, si edhe nga paralajmërimet nga personalitete, si Stephen Hawking, se zbulimet e mëdha në këtë fushë, potencialisht të rrezikshme, janë të pashmangshme.

Banka ‘UBS’ ka theksuar në një publikim të fundit se që nga viti 2010 janë investuar 11 miliardë dollarë në fushën e IA-së, mirëpo kjo shifër mund të rritet më shumë se 47 miliardë dollarë brenda vitit 2020.

Zhvillimi në fushat si ‘Machine Learning’ dhe zhvillimi i gjuhës natyrale kanë rëndësi të veçantë në fushën e financave, duke u dhënë mundësinë algoritmeve të investimeve të përmirësohen, si dhe të rrisin shpërndarjen e shërbimeve te klientët. Në një afat të shkurtër, IA do të trajtojë çështje edhe më komplekse për njerëzit.

UBS, e cila nënvizon potencialin e saj, ka krijuar tashmë një të ashtuquajtur ‘këshilltarin robot’ (roboadvisor) – një instrument dixhital që përdor ‘Machine Learning’ për të ofruar konsulencë në investime të automatizuara, në bazë të rrethanave financiare të njerëzve.

Aplikacione të tjera përfshijnë shërbimin e klientit ‘chatbot’, raportimin e automatizuar, vlerësimin më të mirë të rrezikut dhe instrumente për të ndihmuar bankierët ‘sell-side’ [pjesë e industrisë financiare që përfshinë krijimin, promovimin dhe shitjen e stoqeve, obligacioneve, këmbimin valutor dhe instrumenteve të tjera financiare] që të jenë më të zgjuar në synimet e tyre.

Banka holandeze ‘ING’ kohët e fundit po përdor një instrument të quajtur ‘Katana’, që përdor “analizën parashikuese për të ndihmuar tregjet që të vendosin çmimin, kur një klient kërkon të blejë apo të shesë një aksion”.

Santiago Braje, drejtues i ‘Credit Trading’ në ‘ING Wholesale Bank’, tha në një deklaratë se “me ‘Katana’, Inteligjenca Artificiale aplikohet për të përmirësuar aftësitë vendimmarrëse të tregtarëve, duke u dhënë mundësinë të zhvillojnë intuitën e tyre dhe ekspertizën në mënyrë sa më efikase. Ky është një kombinim i fuqishëm”.

Kompania londineze ‘AiX’ po eksploron të njëjtën fushë të ‘Katana’. Ajo ka në plan të ndërtojë një broker ‘chatbot’ që do të zëvendësonte agjentët tradicionalë, si ‘Tullet Prebon’, që tregtarët e thërrasin aktualisht për të ditur çmimet në treg.

“Gjithçka që ‘AiX’ po bën është marrja e reagimeve nga njerëzit që duan të bëjnë tregti dhe nga pjesëmarrësit nga tregu financiar, për të rritur fitimet si dhe për ta bërë këtë në mënyrën më të mirë të mundshme”, thotë Steve Compton.

Compton u largua pas 26 vjet karrierë në bankën e investimeve ‘Citi’ për t’u bërë këshilltar dhe investitor në ‘AiX’. Ai mbikëqyrte ekipet e tregtarëve dhe thotë se ideja e kompanisë pati ndikim të menjëhershëm tek ai dhe vlerëson se ky instrument mund të reduktojë me 50 për qind tarifat e brokerimit ose deri në 95 për qind të aseteve jolikuide.

“Është një sfidë për të gjithë organizatat që të dinë me saktësi se si u zhvilluan negociatat dhe çfarë kuptimi kishin ato. Cilat janë faktet, treguesit, çfarë është sarkazma dhe çfarë janë negociatat. Me ‘AiX’ ju do të kuptoni jo vetëm se çfarë ndodhi, por do të kuptoni edhe pse ndodhi”, thotë ai.

Jos Evans, një ish-tregtar mallrash, tha se ai është në negociata me bankat investuese dhe reagimet deri më tani kanë qenë pozitive.

“Edhe operatorët janë vërtet entuziastë. Ka shumë mosmarrëveshje dhe zhgënjim në procesin aktual. Ata nuk mund të presin pesë minuta për një broker, vetëm për të ditur radhën e tyre në disa raste”, thotë Evans.

“Me Inteligjencën Artificiale, duhet së pari që të dhënat të jenë në rregull. Po, jemi duke menduar për elemente shtesë, por është si të ndërtosh një shtëpi, së pari duhet të hedhësh themelet dhe pastaj ta ndërtosh atë”, shtoi ai. /Business Insider