Bankieri me 13 faqe biografi synon pozitën e kryeekonomistit të Bankës Qendrore të Evropës

Guvernatori i Bankës Qendrore të Irlandës, Philip Lane, është kandidati i vetëm për pozicionin e kryeekonomistit të Bankës Qendrore Evropiane.

Sipas medieve, Lane njihet si njeri që mbështet linjën e Mario Draghit, presidentit aktual të Bankës Qendrore të Evropës dhe ai pritet të zëvendësoj belgun Peter Praet, mandati i të cilit skadon me 31 maj, përcjell Telegrafi.

Dita e sotme ishte dita e fundit kur duhej të depozitoheshin kandidaturat. Kandidimi do të diskutohet nga më 11 shkurt për të vijuar më pas në Këshillin Evropian me 22 mars. Procedura parashikon konsultim mes Parlamentit Evropian dhe Bankës Qendrore të Evropës, por kjo duket më shumë si formalitet nëse konsiderojmë faktin që bankieri irlandez është konsideruar një autoritet i padiskutueshëm në fushën e politikës monetare.

Philip Lane, 49-vjeçar, profesor i ekonomisë në Trinity College të Dublinit, ka bërë doktoraturë Harvard dhe një eksperiencë në Columbia University. Aktualisht ai po e drejton Bankën Qendrore të Irlandës që nga nëntori i vitit 2015 dhe prej asaj kohe ai ka një biografi me 13 faqe, plot me tituj akademikë, eksperienca punë e artikuj shkencorë.

Ai ka ndjekur nga afër rimëkëmbjen e ekonomisë irlandeze pas krizës më të keqe që kaloi vendi që prej periudhës së pas luftës, si anëtar i Këshillit të Guvernatorëve të Bankës Qendrore dhe vitin e kaluar ai u kandidua për postin e zëvendëspresidentit të Bankës Qendrore Evropiane, rol që më pas iu besua spanjollit Luis de Guindos.

Lane do të bëjë pjesë edhe në Bordin e Bankës Qendrore të Evropës, kur edhe hyn në fuqi gara për zgjedhjen e presidentit të ri të këtij institucioni.

Për presidencën e Bankës Qendrore të Evropës janë akoma në garë shefi i Bundesbank, Jens Weidmann, presidenti i Banque de France, François Vileroy de Galhau, ish-guvernatori i Bankës së Finlandës, Olli Rehn dhe guvernatori aktual i kësaj banke, Erkki Liikanen.

0 Reviews

Write a Review

Read Previous

Pas Apple edhe Samsung pëson rënie të të hyrave

Read Next

Mosmiratimi i buxhetit bllokon shtetin