Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Bashkimi Evropian kërkon tërheqjen e tarifës ndaj mallrave të markave ndërkombëtare në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë

Misionit i Bashkimit Evropian i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës të rishqyrtojë vendimin për zgjerimin e tarifës prej 100 për qind ndaj produkteve që importohen nga Serbia edhe për produktet e markave ndërkombëtare që prodhohen në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Në komunikatën e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë thuhet se “e shohim me shqetësim vendimin e Kosovës për të shtrirë tarifën prej 100 për qind edhe për produktet e markave të njohura ndërkombëtare të vendeve tjera, duke përfshirë edhe vendet e Bashkimit Evropian, të cilat prodhohen në Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë”

“Ne duam të përsërisim mesazhin e Bashkimi Evropian, se vendosja e tarifave nuk kontribuon në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe ajo bie në kundërshtim me angazhime e Kosovës drejt integrimit rajonal dhe angazhimeve të marra nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit”, thuhet në reagim.

Kjo zyre i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishqyrtojë vendimin dhe të revokojë tarifën.

“Ky do të ishte vendimi i duhur që Kosova dhe populli i sajë të avancojë drejt aspiratave evropiane për të tashmen dhe të ardhmen”, thuhet nga Zyra e Bashkimi Evropian.

Më tej kjo zyrë, rikujton mesazhin e Bashkimit Evropian për bashkëpunimin rajonal dhe kërkojnë nga gjitha palët të përmbahen nga veprimet që minojnë këtë mesazh.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që nga e premtja në Kosovë nuk mund të hyjnë pa iu nënshtruar tarifës 100 për qind asnjë produkt nga Serbia, pavarësisht vendit të origjinës.

Këtë vendim, Qeveria e Kosovës e ka marrë pas kërkesës të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Endrit Shalës, në mënyrë që masa prej 100 për qind të trajtojë njëlloj të gjitha kompanitë.