Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Bashkimi Evropian paguan, Kina fiton

Ne Kroaci po zhvillohet takimi ’16+1′, që synon të rrisë ndikimin ekonomiko-politik të Kinës në Evropë.

Ura e Pelješacit do të kalojë mbi gjirin e Mali Stonit dhe do të lidhë kësisoj dy pjesë të Kroacisë, që ndahen nga një rrip toke prej 2.4 kilometrash e që i takon Bosnjës e Hercegovinës. Kjo urë do të jetë 2.4 kilometra e gjatë dhe 55 metra e lartë. Sipas përllogaritjeve, projekti ambicioz do të kushtojë 420 milionë euro, 85 për qind e të cilave janë fonde të Bashkimit Evropian.

Tenderin për këtë projekt nuk e ka fituar një kandidat nga Bashkimi Evropian, por ndërmarrja shtetërore kineze ‘China Road and Bridge Corporation’. Përveç çmimit të lirë, kompania është zotuar se do ta mbarojë këtë ndërtim gjashtë muaj para afatit të parashikuar në tender.

Ky nuk do të jetë projekti i fundit kinez në Kroaci. Pas samitit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kinës në Bruksel, kryeministri kinez Li Keqiang, vazhdoi rrugën për në Kroaci, ku në datat 10-12 prill mbahet samiti i 8-të i ashtuquajtur ’16+1′.

Pas negociatave të vështira me kreun e Bashkimit Evropian, Li po zhvillon aty takime shumë më të këndshme. Aty ai do të nënshkruajë dhjetë marrëveshje bilaterale me Kroacinë, ndër të tjera edhe një memorandum bashkëpunimi të Entit shtetëror të Dixhitalizimit të Kroacisë me prodhuesin kinez të telefonave Huaëei.

Kryeministri ka sjellë me vete edhe afro 400 ndërmarrës kinezë dhe bankierë, të cilët do të kenë rastin të takojnë Dubrovnik me qindra ndërmarrje evropiane. Takimi po cilësohet se është ‘takimi më i madh ekonomiko-politik në historinë e Kroacisë’, bëhet në kuadër të një nisme të themeluar në vitin 2012 për të nxitur marrëdhëniet e biznesit ndërmjet Kinës dhe 16 vendeve të Evropës Jugore, Juglindore dhe Qendrore.

Për vendet në fjalë ky takim mund të jetë vërtet me pritshmëri pozitive. Por nisur nga fakti që ndër to janë 11 vende të Bashkimit Evropian, kjo në Berlin do të interpretohet sërish si një përpjekje e re e Kinës për të vendosur një pykë në Bashkim Evropian.

Një nga këto projekte që shihen me dyshim nga Evropa e që po diskutohet këto ditë në samit është ‘Rruga e Mëndafshit’. Ai parashikon investime prej së paku 900 miliardë dollarë, me të cilat Kina do të ndërtojë rrugë, hekurudha, gazsjellëse, hidrocentrale, rrjete telekomunikacioni, porte dhe aeroporte nga Azia drejt Evropës.

Portugalia, Bullgaria, Kroacia, Çekia, Greqia, Polonia, Sllovakia, Sllovenia, Hungaria, Malta dhe vendet baltike janë marrë vesh me Pekinin për marrëveshje investimesh. Në Bruksel kjo shihet me shumë skepticizëm. Kohët e fundit, iniciativës së Rrugës së Mëndafshit i është bashkuar edhe Italia, një vend industrial dhe pjesë e G7-së.

Brukseli është i shqetësuar se Kina do të jetë konkurrente me shanse të mëdha në tregun evropian, falë edhe ndihmës së madhe që u jep shteti sipërmarrjeve. Kina mund të bëjë oferta shumë të lira nëpër tenderë, sepse ajo i sjell me vete burimet, qofshin këto njerëzore apo materiale, duke reduktuar kështu edhe sasinë e madhe të çelikut dhe betonit që ka në vend.

Edhe ura e Pelješacit pritet që ndërtohet kryesisht me beton kinez dhe nga punëtorë kinezë e jo kroatë. /Deutsche Welle/