Search

Bashkimi Evropian me rregulla të reja për tregun e kriptovalutave

Tregtarët e kriptovalutave janë në një raund të ri të shqyrtimit nga politikanët evropianë.

Ministrat e financave të 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian do të diskutojnë një mori sfidash të paraqitura nga rritja e popullaritetit të aseteve dixhitale dhe nëse rregullat duhet të shtrëngohen, sipas një draft-njoftimi të përgatitur për një mbledhje të 7 shtatorit në Vjenë.

Ato përfshijnë një mungesë të përgjithshme të transparencës dhe potencialin e kriptovalutave për t’u keqpërdorur për pastrimin e parave, evazionin fiskal dhe financimin e terrorizmit.

Qeveria austriake, e cila aktualisht mban presidencën e rradhës të Bashkimit Evropian, nuk ka nuk ka bërë asnjë koment për këtë çështje.

Në Evropë, luhatjet e çmimeve në tregjet virtuale të valutave kanë shkaktuar paralajmërime nga autoritetet, të cilët theksuan se ligjet aktuale të Bashkimit Evropian nuk ofrojnë asnjë mbrojtje për investitorët. Komisioni Evropian, krahu ekzekutiv i BE-së, është zotuar të monitorojë zhvillimet dhe të përcaktojë nevojën për veprim të mëtejshëm së bashku me agjencitë e tjera.

Rregullatorët në Evropë janë gjithashtu të prirur për të shfrytëzuar teknologjitë e reja të lëshuara nga monedhat digjitale, sipas dokumentit të cituar nga Bloomberg.

Ofertat Fillestare të Monedhave ‘kanë krijuar një mënyrë efektive dhe efikase për të mbledhur kapital’, theksuan rregullatorët, duke shtuar se ky zhvillim mund të ndihmojë gjithashtu në integrimin e tregjeve të kapitalit në teknologjinë Blockchain. /Telegrafi/