Search

Bashkimi Evropian shpenzoi 200 miliardë euro për mbrotje

Agjencia evropiane e Statistikave (Eurostat) ka bërë të ditur se shpenzimet totale ushtarake në 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian në vitin 2016 ishin 200 miliardë euro, shifër e njëjtë si në vitin 2015.

Eurostat tha se raporti i shpenzimeve të mbrojtjes ndaj Produktit të Brendshëm Bruto në 28 vendet anëtare në vitin 2016 ishte 1.3 për qind nga 1.4 për qind në vitin 2015.

“Kjo është shumë më pak sesa shuma e shpenzuar për mbrojtjen sociale, shpenzimet e barabarta me 19.1 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto në vitin 2016, për shëndetësinë me 7.1 për qind ose edukimin 4.7 për qind”, tha Eurostat.

Shpenzimet e mbrojtjes u rritën mbi shpenzimet publike në rekreacion, kulturë dhe religjion me 1 për qind, në mbrojtjen e mjedisit me 0.7 për qind, si dhe në strehimin dhe pajisjen e komunitetit me 0.6 për qind.

Shpenzimet më të ulëta të mbrojtjes ndaj Produktit të Brendshëm Bruto u regjistruan në Irlandë me 0.3 për qind, Luksemburg me 0.4 për qind, Maltë dhe Austri me 0.6 për qind, ndërsa Estonia me 2.4 për qind, Greqia me 2.1 për qind, Britania e Madhe me 2 për qind dhe Franca me 1.8 për qind shpenzuan përmasat më të larta.

Britania e Madhe kishte pothuajse çerekun, përkatësisht 24 për qind të asaj që 28 vendet anëtare kishin në faturën e përgjithshme ushtarake me 47 miliardë euro.

Franca, Gjermania dhe Italia ndoqën Britaninë e Madhe me një kombinim prej 96 miliardë eurosh, 47 për qind të shpenzimeve të përgjithshme të 28 vendeve anëtare.

Të dhënat e Bankës Botërore treguan se shpenzimet botërore të mbrojtjes ndaj Produktit të Brendshëm Bruto mesatarisht arritën në 2.2 për qind në vitin 2016.

Sipas Bankës Botërore, në krye të listës janë të vendosura Omani me 13.7 për qind ose 10.6 miliardë dollarë, Arabia Saudite me 9.8 për qind ose 63.7 miliardë dollarë dhe Kongo me 7.2 për qind ose 562 milionë dollarë, ndërsa Guineja Ekuatoriale me 0.2 për qind ose 23 milionë dollarë, Mauritania me 0.2 për qind ose 23 milionë dollarë dhe Irlanda me 0.2 për qind ose 1 miliard dollarë shpenzuan më pak para në mbrojtje në vitin 2016.

Rusia në vitin 2016 ka shpenzuar 5.4 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto së saj apo rreth 69 miliardë dollarë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës me 3.3 për qind apo rreth 600 miliardë dollarë, India me 2.5 për qind apo rreth 60 miliardë dollarë dhe Kina 1.9 për qind apo rreth 216 miliardë dollarë.

Vendet në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore mesatarisht shpenzuan 5.7 për qind të të ardhurave të tyre në mbrojtje dhe shifra në botën arabe ishte 6.2 për qind.