Search

BB do të vazhdojë ta mbështesë BQK-në

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Bedri Hamza ka pritur sot drejtoreshën e Bankës Botërore (BB) për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder të shoqëruar nga Marko Mantovanelli, drejtor i Zyrës së BB-së në Kosovë.

Hamza e ka njoftuar atë për funksionalizimin e Qendrës për Vazhdimësi të Punës duke e falënderuar atë për mbështetjen e parezervë që ka dhënë BB-ja në përkrahje të ndërtimit të kësaj qendre.

Guvernatori Hamza e njoftoi Van Gelder, mbi zhvillimet aktuale në ekonominë e Kosovës dhe rolin e sistemit financiar. Gjatë takimit, Hamza ka marrë mbështetje se BB do të vazhdojë mbështetjen e saj për të gjitha fushat të cilat janë me interes për zhvillimin e BQK-së, qoftë në shërbim të ngritjes së kapaciteteve të saj apo qoftë me projekte që kanë për qëllim zhvillimin e sektorit financiar në përgjithësi.

Të dyja delegacionet e kanë çmuar lartë bashkëpunimin e ndërsjellë dhe janë zotuar se kjo frymë e bashkëpunimit do të vazhdojë edhe më tej. Në anën tjetër delegacioni i BB-së ka vlerësuar BQK-në për të gjitha të arriturat në projektet që cilat janë përkrahur nga asistenca teknike e saj.

Hamza dhe Val Gelder u zotuan se do të thellojnë bashkëpunimin për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e projekteve të rëndësisë së veçantë në sferën e sistemit financiar që ndikojnë në rritjen e ndërmjetësimit financiar dhe qasjen në financim në funksion të zhvillimit të sektorit privat. /Gazeta Ekonomia