Search

BB paralajmëron Shqipërinë: Investimet do të bien

Në raportin e fundit të Bankës Botërore (BB) mbi zhvillimet ekonomike në Evropë dhe Azi, banka parashikon se fluksi i investimeve të huaja (IHD) në Shqipëri do të bjerë nga 8.3 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto  (PBB) që është këtë vit në 7 për qind vitin e ardhshëm.

Por rënia pritet të jetë edhe më e madhe në vitin 2019, kur IHD sipas BB-së do të zbresin në 5.6 për qind të PBB-së.

E shprehur në vlerë, kjo do të thotë se në dy vitet e ardhshme, IHD në ekonominë shqiptare pritet të ulen me rreth 300 milionë euro.

Burime zyrtare nga BB thonë se parashikimi për rënien e investimeve nga jashtë lidhet me përfundimin e dy projekteve madhore, gazsjellësit Transadriatik (TAP) dhe kaskadës së Devollit.

Të dy këto vepra nga viti i ardhshëm pritet të ngadalësojnë vëllimin e investimeve, ndërkohë që në skenarin bazë të parashikimit nuk ka asnjë projekt tjetër të ri që mund të zëvëndësojë efektin e tyre.

Në katër vitet e fundit IHD-të janë luhatur nga 8 deri në 9 për qind të prodhimit kombëtar, duke qenë një nga nxitësit kryesorë të gjallërimit të ekonomisë.

Pritshmëritë për rënien e tyre e kanë çuar BB-në në vendimin për të ulur edhe parashikimin e rritjes ekonomike për 2018 nga 3.8 për qind në 3.5 për qind. /Top Channel