Search

Bedri Hamza lë postin e Guvernatorit

Si rezultat i rrethanave dhe zhvillimeve të reja të krijuara në sferën e ndërtimit të institucioneve të reja të Qeverisë së Republikës së Kosovës, Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Bedri Hamza ka mbajtur një konferencë shtypi sot në ambientet e BQK-së, ku ka dhënë dorëheqjen e tij nga posti i Guvernatorit.

Deri te dorëheqja ka ardhur si rezultat i nominimit të tij që të jetë pjesë përbërëse e kabinetit të ri Qeveritar, në postin e ministrit të Financave. Në këtë konferencë, Hamza ka falënderuar mediat, institucionet ndërkombëtare dhe ato vendore për punën dhe bashkëpunimin e frytshëm që patën gjatë periudhës së mandatit të tij prej Guvernatori.

Po ashtu, ai mbajti një ekspoze të zhvillimeve në sektorin financiar duke krahasuar indikatorët që e karakterizuan këtë sektor nga viti 2013 deri më 2017. Guvernatori u shprehë se kemi të bëjmë me një përformancë shumë të mirë të sistemit në të gjitha fushat, ku sukseset e treguara i’a ka atribuar punës ekipore, menaxhmentit të BQK-së dhe gjithë personelit të BQK-së. Hamza ka shfaqur bindjen se sukseset nuk do të mungojnë edhe në të ardhmen. /Gazeta Ekonomia