Search

Berat Rukiqi merr detyrën e kryetarit të OEK-ut

Është zhvilluar ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës së kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), me këtë rast kryetari i deritanishëm, Safet Gërxhaliu, i dorëzoi detyrën kryetarit të ri, Berat Rukiqit.

Ceremonia vjen pasi që Kuvendi i OEK dje kishte zgjedhur Berat Rukiqin, kryetar të OEK-ut për një mandat katërvjeçar.

Gjatë ceremonisë, Gërxhaliu i dorëzoi kryetarit të ri raportet e punës 8-vjeçare, ndërsa Rukiqi në anën tjetër i dha Gërxhaliut një mirënjohje në shenjë vlerësimi për kontributin në OEK.

“Falënderoj kryetarin e deritashëm, Safetin që na ka mësuar të gjithë neve dhe e ka sjellë Odën në një institucion që ka reputacion të madh jo vetëm në Kosovë po edhe jashtë saj. E ka mbrojtur nga një shoqëri që ka interesa të shumta, në mënyrë të mos kemi dështime që i kanë përcjellë shumë organizata në Kosovë. Për kontributin e tij në këto tetë vite, si menaxhment i ri i ndajmë një mirënjohje që është e para e këtij lloji, për një kontribut të tillë dhe po shpresoj që krejt ky 4-vjeçar ka me na shkuar duke e përkrahur punën e tij”, tha Rukiqi, gjatë ndarjes së mirënjohjes.

Po ashtu, Rukiqi, tha se procesi zgjedhor në OEK është dhe duhet të jetë shembull i organizatave dhe institucioneve tjera.

“Sot është një arsye e veçantë, më shumë ceremoniale se tematike dhe kemi një proces zgjedhor që është model edhe për shumë organizata tjera. Me një votim shumë transparent dje ky proces është kurorëzuar me zgjedhjen e organeve të reja të Odës Ekonomike të Kosovës. Që kryetar në këtë rast jam unë. Është përmbyllur periudha 8-vjeçare shumë e suksesshme e kryetarit Safet Gërxhaliu. Kjo tregon për një element qenësor për të cilin kemi qenë të interesuar, që është vazhdimësia”, tha ai.

Ai më tutje foli edhe për prioritetet për të cilat ai do të angazhohet në këtë mandat.

“Prioritetet e mia janë rritja e punësimit përmes rritjes së eksportit, harmonizimi apo mbyllja e hendekut që ekziston mes tregut të punës dhe sistemit arsimor dhe dixhitalizimi i përgjithshëm i ekonomisë”, shtoi ai.

Ish-kryetari i OEK, Safet Gërxhaliu, tha se rrugëtimi në Odë ka qenë sfidë më vete, mirëpo sipas tij, me mund është arritur që sfidat të kthehen në rezultate.

“Sot u binda që ëndrrat bëhen realitet dhe nëse me kishin pyetur se çfarë fundi të detyrës do të kishe dashur do të ishte ky me buzëqeshje, me miq dhe rezultate. Nëse dikush meriton falënderim janë gazetarët që kanë qenë pjesë e të arriturave të Odës. Rrugëtimi në Odën Ekonomike ka qenë sfidues, mirëpo me mbështetje kemi arritur që momentet e vështira t’i shndërrojmë në sukses. Nuk besoj që ka ministri në Kosovë me buxhet më të vogël se 30-40 mijë euro ndërkaq Oda Ekonomike ka buxhet zero mirëpo që kemi pasur rezultate të vazhdueshme. Kosovës i duhet një Odë e fuqishme Ekonomike”, tha Gërxhaliu. /Gazeta Ekonomia/