Search

Bien çmimet e importit

Indeksi i Çmimeve të Importit në tremujorin e dytë 2017 u ul me -0.3 për qind në krahasim me tremujorin e parë 2017, ndërkaq krahasuar tremujorin e dytë 2017 me tremujorin e dytë të vitit paraprak, çmimet e importit u ngritën në një mesatare prej 4.1 për qind.

Sipas të dhënave të prezantuara nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në raportin ‘Indeksi i Çmimeve të Importit (IÇIMP), tremujori i dytë 2017‘, rëniet më të mëdha të çmimeve sipas sektorëve ishin te produktet minerale me -7 për qind, këpucët me -2.3 për qind, lëkura dhe artikujt e saj me -2.2 për qind, shtazët e gjalla dhe prodhimet e shtazëve me -1.7 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me -1.1 për qind, pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike me -0.6 për qind, artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani me -0.3 për qind dhe produktet e industrive kimike me -0.1 për qind.

Rënia u neutralizua kryesisht nga ngritja e çmimeve sipas sektorëve te produktet bimore me 3.6 për qind, metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 3.2 për qind, tekstili dhe artikujt e tij me 2.1 për qind, artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit me 1.6 për qind, vajrat ushqyese me 1.6 për qind, instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore dhe mekanizmat e orës me 1.0 për qind, mjetet e transportit me 0.8 për qind, druri dhe artikujt e tij me 0.7 për qind, plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre me 0.4 për qind dhe letrat dhe artikujt e saj me 0.3 për qind.

Krahasuar tremujorin e dytë 2017 me tremujorin e dytë të vitit paraprak, çmimet e importit u ngritën në një mesatare prej 4.1 për qind. Ngritje më të mëdha sipas sektorëve ishin te produktet bimore me 14.5 për qind, produktet minerale me 10.4 për qind, metalet bazë dhe artikujt prej tyre me 10.4 për qind, instrumentet optike, fotografike, matëse, medicinale dhe muzikore, si dhe mekanizmat e orës me 5.6 për qind, lëkura dhe artikujt prej saj me 5.4 për qind, shtazët e gjalla dhe prodhimet e tyre me 4.1 për qind, tekstili dhe artikujt prej tij me 3.6 për qind, artikujt e gurit, llaçit, produktet e qeramikës dhe të qelqit me 2.8 për qind, druri dhe artikujt prej tij me 2.6 për qind, plastika, kauçuku dhe artikujt e tyre me 2.3 për qind, vajrat ushqyese me 1.8 për qind, artikujt e ndryshëm të prodhuar me 1.3 për qind, mjetet e transportit me 0.6 për qind, pajisjet e makinerisë dhe pajisjet elektrike me 0.4 për qind dhe artikujt ushqimorë të përgatitur, pijet dhe duhani me 0.1 për qind.

Ngritja u neutralizua kryesisht nga rënia e çmimeve sipas sektorëve te këpucët me -5.1 për qind, letrat dhe artikujt prej saj me -4.8 për qind dhe produktet e industrive kimike me -0.6 për qind. /Gazeta Ekonomia