Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Bien këmbanat e alarmit në sektorin e ndërtimit në Turqi

Qeveria turke ka shumë dëshirë të prezantojë projekte prestigjioze – ura pompoze, ndërtime gjigande, qendra tregtare të mëdha – projekti më i madh aktualisht, Aeroporti i Ri i Stambollit, që një ditë synon të jetë më i madhi në botë. Sinjali që do të dërgojë qeveria: sektori i ndërtimit po lulëzon.

Për 15 vite me radhë ky sektor shihej si forca lëvizëse e ekonomisë turke, por tani kanë filluar të bien këmbanat e alarmit. Gati dy milionë vetë janë të punësuar në ndërmarrjet e ndërtimit në Turqi. Por ato janë të zhytura në borxhe, me rreth 60 miliardë euro, tani atyre iu ngushtuar edhe më laku. Ndërkohë që kërkesa në sektorin e ndërtimit po bie dhe shitja e patundshmërive bie rregullisht me rreth 10 për qind në muaj.

Fryrje artificiale

Qeveria turke e sheh veten të detyruar ta shpëtojë nga kriza sektorin e rëndësishëm që vitin e kaluar ka ofruar 4.7 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.

Sipas raportimeve, Ankaraja po përgatit një paketë masash ndihme, por ekspertët janë skeptikë, nëse ato janë masat e duhura. Një problem i këtij sektori është fryrja artificiale e bumit të tij.

“Dikur ishte shumë e lehtë për sipërmarrjet e ndërtimit të merrnin kredi në shuma të mëdha, me norma të ulta interesi dhe afatgjata. Për një kohë të gjatë ky sektor merrte kredi me 1 për qind normë interesi. Kjo e rriti kërkesën për patundshmëri duke sjellë një bum ndërtimesh”, thotë Uğur Gürses, ekspert i financave.

Por shenjat e para të krisjes u dukën që në vitin 2016, pas përpjekjes për puç ushtarak e zhvillimet e mëpashme politike në vend sollën keqësimin e koniunkturës, që po ashtu çoi në rënien e çmimeve të patundshmërive.

“Nga ana tjetër, në Turqi është derdhur shumë më pak kapital në këto vite, gjë që ka krijuar probleme në sektorin financiar të ndërtimit. Gjithnjë ka pasur fushata të sektorit të ndërtimit për ta zgjidhur problemin. Mbështetësit më të mëdhenj të këtij sektori kanë qenë bankat publike, por edhe burimet e tyre financiare me ngadalë po pakësohen”, thotë Gürses.

Sipas Autoritetit Turk të Mbikqyrjes së Bankave, kreditë e sektorit të ndërtimit përbëjnë 15 për qind të të gjithë kredive në Turqi, ndërsa Instituti Turk i Statistikave, konstaton se blerja e apartamenteve në shtator 2018 shënoi një rënie me 9.2 për qind krahasuar me një vit më parë.

Rreth 800 mijë patundshmëri të pashitura

Qeveria në Ankara kërkon të mbështesë sektorin e ndërtimi me një pakt financiar.

Sipas mediave, po planifikohet që shoqëria e gjysmështetërore e patundshmërive ‘Emlak Konut’ të blejë apartamentet dhe ndërtesat e pashitura. 30 për qind e çmimit të shitjes do të rrjedhë sipas kësaj tek ndërmarrjet e ndërtimit, me pjesën tjetër do të shlyhet mali i borxheve.

Ministria e Ekonomisë nuk i ka konfirmuar e as nuk i ka hedhur poshtë deri më tani këto raportime. Por a mund t’i ndihmojë kjo sektorit në krizë?

Nazmi Durbakayım, kryetar i Shoqatës së Ndërtimit në Stamboll, thotë se nuk dihet, se si do të veprojë qeveria me patundshmëritë e pashitura deri më tani.

“Në Turqi ka aktualisht 800 mijë patundshmëri të pashitura. Ne shpresojmë, që me programin e qeverisë që i fut ato në inventar, këto patundshmëri të shiten brenda 3-5 muajsh”, thotë Durbakayım.

Kërcënimi i sektorit bankar

“Një zgjidhje e shpejtë e problemit është mjaft akut”, thotë profesori i ekonomisë në Universitetin e Ankarasë, Yalçın Karatepe.

Problemet e sektorit të ndërtimit ndjehen edhe në sektorë të tjerë, për shkak të lidhjeve të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë me njëri-tjetrin.

Sipas Karatepe, ndërmarrjet e ndërtimit nuk mund ta shlyejnë vetë malin prej 60 miliardë eurosh të borxheve.

“Ky rrezik kreditimi përbën kërcënimin më të madh për sektorin bankar”, shprehet Karatepe.

Ai kritikon masat e qeverisë, sepse kjo do të bëjë që shteti të futet më shumë në borxhe.

“A do të blejë më vonë qeveria edhe automobilët që nuk i blen më njeri?”, pyet Karatepe.

Programi i ndihmës do të zbuste simpotimat, por nuk do të luftonte arsyet.

“A duhet të veprojë shteti në këtë mënyrë, që të marrë përsipër borxhet e sektorit të ndërimit dhe të bëjë që të paguajë taksapaguesi për të gjitha problemet?”, thotë ai.

Hapi i parë do të ishte që të pranohej që sektori i ndërtimit në Turqi është në krizë. /Deutsche Welle/

Leave a Reply

Your email address will not be published.