Search

Binzesi shqiptar dhe pritshmëritë e takimit të Nishit

Janë 160 kompani serbe të cilat do të takohen me 50 biznese shqiptare në forumin ekonomik Shqipëri – Serbi.

Luan Bregasi, përfaqësues i firmave shqiptare, shprehet se interesi për këtë forum, sidomos nga ana e ndërmarrjeve serbe, ka qënë i jashtëzakonshëm. Ai thotë se qëllimi i këtij takimi do të jetë promovimi dhe njohja e sipërmarrësve me njëri-tjetrin për të bashkëpunuar.

Drejtori i Qendrës për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi thotë se që ky bashkëpunim të jetë i zbatueshëm në praktikë, duhet që të gjithë vendet e rajonit të bashkërendojnë ligjet fiskale, të kenë një monedhë të përbashkët dhe pikësëpari të zbatojnë marrëveshjet që janë në fuqi. Ai kujton se marrëveshja më e rëndësishme e tregtisë së lirë (CEFTA) ka patur më shumë sukses për vendet e ish-Jugosllavisë.

Por, Bregasi thotë se Serbia është vendi i parë në hartën rajonale që ka zbatuar më me përpikëri CEFTA-në. Megjithatë, sqaron kreu i ‘Biznes Albania’, asgjë nuk është perfekte, pikërisht në këtë takim do të diskutohet për të vendosur konkurrencën e ndershme të bizneseve serbe në tregun tonë, pasi ka ende fusha ku pala shqiptare ka pretendime. Por a do ta zbehë ky takim bashkëpunimin ekonomik që ka Shqipëria me Kosovën?

Një vit më parë, vendi ynë krijoi një dhomë të përbashkët ekonomike dhe me Kosovën, por deri tani kjo dhomë nuk ka qënë shumë aktive.