Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Black Rock – pushteti okult që dominon të gjithë financën evropiane

Anekdota vjen nga një ish-punëtore e Black Rock: i ardhur mbi Atlantik në udhëtim drejt Evropës, Larry Fink, shefi ekzekutiv dhe themeluesi i Black Rock, i kërkon komandantit të avionit që të ndryshojë kurs dhe të shkojë drejt Gjermanisë, ndërkaq i telefonon një njeriu të tij në Frankfurt që t’i organizojë brenda pesë orësh një takim me Angela Merkel. Njeriu kërkon që të bëjë maksimumin, por duke qenë se nuk arrin ta gjejë kancelaren, i cakton një takim më zëvendëspresidentin e BMW-së. Të dy takohen, por ndërsa gjermani po i shpjegon strategjitë e shtëpisë automobilistike, Fink ngrihet në këmbë dhe nis një bisedë tjetër telefonike. Shkathtësi e kujt di se konsiderohet ndër njerëzit më influencë në botë.

Laurence ‘Larry’ Fink, 65-vjeç, djali i një tregtari këpucësh dhe i një mësueseje të anglishtes, është tregtar nga Kalifornia që në vitin 1988 ka themeluar kompaninë Black Rock bashkë me një duzinë kolegësh. Sot të punësuarit janë 13,900, të shpërndarë në 30 vende dhe Black Rock është bërë kompania më e madhe e investimeve në botë, 6.28 trilionë dollarë kapital i menaxhuar, nga të cilat një e treta në Evropë, më shumë se Produkti i Brendshëm Bruto i Francës dhe e Spanjës të marra së bashku.

Nëpërmjet Aladdin, softuerit të tij për menaxhimin e riskut, Black Rock kontrollon në mënyrë indirekte 200 trilionë dollarë të tjerë. Një pushtet që Black Rock e ushtron edhe duke u dhënë këshilla qeverive, bankave qendrore, institucioneve evropiane. Duke ndikuar çdo ligj që miratohet në Evropë.

“Përmasat e jashtëzakonshme të Black Rock i japin një pushtet tregu që asnjë shtet nuk mund ta kontrollojë më”, e përmbledh Michael Theurer, deputeti liberal gjerman.

Kompania amerikane menaxhon paratë e të tjerëve, nuk ka kuota kontrolli, por ka të drejtë vote në asambletë e kompanive të kuotuara, vitin e kaluar ka votuar në 91 për qind të rasteve në 17 mijë kompanitë ku është aksionar. Në Evropë, ‘shkëmbi i zi’ është i pranishëm në energji, në transporte, në kompanitë ajrore, në industrinë agroushqimore, deri edhe në tregun e patundshmërive. Posedon një fetë të madhe (që mbahet sekret nga Banca d’Italia dhe nga vetë kompania) të bonove të borxhit tonë publik, siç dëshmon baza e të dhënave e Thomsons One që ka konsultuar Investigate Europe.

Është aksionar me peshë në top dhjetë bankat evropiane, aksionar i parë i Deutsche Bank, i dytë tek Intesa San Paolo, i pranishëm tek Unicredit, Banca Generali, Fineco, ENEL, ENI, Telecom. Në Gjermani ka investuar 100 miliardë vetëm në aksione, 240 miliardë në Britani të Madhe, 21 miliardë në Itali, por që po të mblidhen me bonet dhe me obligacionet shkon në 79 miliardë në pasuri të menaxhuar në Itali.

Në një libër të shkruar tri vite më parë, gazetarja gjermane Heike Buchter shpjegon sesi, “qysh kur zgjohesh në mëngjes, merr drithërat me qumësht, vishesh, vesh këpucët, merr makinën dhe shkon në punë, ku ndez kompjuterin, duke përdorur iPhone tënd, në të gjitha momentet e ditës Black Rock është i pranishëm”.

Fink pritet gjithmonë si një kryetar shteti, qoftë kur shkon në Romë për t’u takuar me Matteo Renzi, për një darkë private, në 2014 apo në Amsterdam për të folur me Kryeministrin Mark Rutte, në 2016 apo në Elize: ka takuar tashmë dy herë presidentin francez Emmanuel Macron. Çfarë i kërkojnë Black Rock të gjithë këta krerë qeveritar? Të vazhdojë të investojë në Evropë. Në shkëmbim e sigurojnë se nuk do të ndërhyjnë në punët e tij me ligje dhe kontrolle të jashtëzakonshme.

Pasuria më e madhe e Black Rock vjen nga fondet pasive. Kriza ekonomike ka qenë një mundësi për shkëmbin e Wall Street. Nga një pasuri e menaxhuar prej një trilion dollarësh në vitin 2008, ka kaluar në më shumë se 6 trilionë në vitin 2018, falë Exchanged Traded Funds, sot 72 për qind e portofolit të tij. Fondet në dekadën e fundit praktikisht kanë shpërthyer, duke zënë tashmë 40 për qind të tregut aksionet në botë, me Black Rock lider botëror i sektorit.

Arsyeja kryesore e bumit të tyre është që kushtojnë pak: 0.2 për qind e vlerës së investuar, një e dhjeta e kostove të një fondi aktiv. Një fond aktiv menaxhohet nga menaxheri, një ETF shkon automatikisht, kopjon si një klon vlerën e një treguesi të bursës. Në qoftë se aksionet e indeksit ngjiten, ngjitet edhe vlera e fondeve të Black Rock, por nëse indeksi humbet vlerë, zbresin edhe fondet pasive.

Barbara Novick, zëvendëspresidente e Black Rock, e ka shpjeguar këtë sukses duke folur për ‘demokratizim’ të financave: tashmë të gjithë mund të investojnë edhe shuma të vogla. Por sa më shumë rritet vëllimi i fondeve pasive, aq më shumë tregu përqendrohet në pak kompani.

Në Universitetin e Amsterdamit një grup hulumtuesish të lidhur me platformën Corpnet ka studiuar sjelljet e Black Rock, Vanguard dhe State Street, tri kolosët e fondeve pasive.

“Për momentin janë gjigantë që flenë, por janë duke u zgjuar”, thotë profesor Eelke Heemskerk.

Më 18 mars të 2008-së, Timothy Geithner, kreu i Federal Reserve të New York, më pas i bërë ministër i Financave me presidentin Barack Obama, i telefonon Larry Fink që ta ndihmojë të pastrojë pisllëqet e bankës së investimeve Bear Stearns, sapo e shpëtuar nga qeveria amerikane. Fink ka zhvilluar tashmë softuerin Aladdin, që analizon brenda pak sekondash përbërjen dhe rreziqet e lidhura me portofolat e mëdhenj. Është njeriu i duhur për të shuar zjarret e krizës. Pas Bear Stearns, Black Rock do të thirret për të izoluar produktet toksike e Citibank, AIG, Fannie Mae dhe Freddie Mac. Bëhet krahu operativ i qeverisë amerikane për menaxhimin e krizës.

Në fund të vitit 2010, pa garë, Banka Qendrore e Irlandës thërret Black Rock Solutions, filial i gjigantit amerikan i specializuar në anën e konsulencës, për të studiuar gjendjen shëndetësore e bankave irlandeze. Dublini sapo i ka kërkuar vendeve evropiane dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar një hua prej 50 miliardë eurosh për të shmangur falimentimin.

Treshja – Fondi Monetar, Komisioni Evropian dhe Banka Qendrore Evropiane – shkon në Dublin dhe i kërkon qeverisë vendase t’i drejtohet një auditimi të jashtëm. Zgjedhja bie mbi Black Rock, edhe pse tashmë kontrollon 162 miliardë euro në aksione në ishullin kelt.

“Një mision gjigant, më i madhi që më është besuar ndonjëherë nga një qeveri”, do të thotë Larry Fink lidhur me Irlandën,

Më pas Black Rock do të thirret sërish në vitin 2011 dhe 2012 për të kryer stres test ndaj bankave irlandeze. Dhe në fund të 2012 blen 3 për qind të Bank of Ireland, pikërisht një prej bankave të cilave i kishte bërë stres test në vitin 2011.

Në Greqi ‘shkëmbi i zi’ e ka filluar në mënyrë më të matur. Nën emrin ‘Solar’, Black Rock Solutions merr me qira zyra modeste në Athinë dhe, e punësuar nga Banka Qendrore e Greqisë, futet në bodrumet e 18 bankave helene.

Jemi në vitin 2011. Në vitet në vazhdim Black Rock thirret sërish për të studiuar vëllimin e ‘gropës’ së bankave të mëdha greke, të kryejë stres test në institutet kryesore. Gjashtë kontrata gjithsej, e fundit për t’u dhënë asistencë teknike lehtësimit të kredive të këqija. Sot në Athinë flitet shumë për të në raport me qendrën tregtare prej 300 milionë eurosh që po ndërton në zemër të kryeqytetit, në rrëzë të Akropolit dhe se aksionar i parë në një minierë ari në veri të vendit, e kritikuar nga popullsia vendore prej rrezikshmërisë së supozuar ndaj mjedisit.

Por kompania e Larry Fink është edhe aksionare me peshë e një prej bankave më të mëdha dhe e Lotarisë Kombëtare, para pak kohësh e privatizuar. Konflikt interesi, qasje e privilegjuar në informacione të rezervuara që mund të jenë të dobishme për kë investon miliona euro në një vend?

Michael Massourakis, ish-kryeekonomist i Alpha Bank, kujton sesi, “në mbrëmje shkonim tek Black Rock për të shitur aksionet tona dhe po atë ditë punëtorët e Black Rock vinin tek ne për të kontrolluar librat e kontabilitetit. Pastaj në darkë njerëzit e Black Rock takoheshin për një gotë? Nuk e di. Asgjë nuk tregon se punonjësit e Black Rock të ardhur në Athinë u kanë transmetuar informacione të rezervuara ekipeve të kompanisë të interesuara për investimet e fondeve, siguron një tregtar grek. Black Rock nuk do të rrezikonte kurrë që ta shkatërronte për kaq pak reputacionin e vet”.

Më 12 dhjetor 2013, Fink është takuar me guvernatorin e Bankës së Greqisë, George Provopoulos. Për çfarë kanë folur të dy njerëzit? Për investimet e Black Rock në gadishullin helen, për degradimin e kredive në bankat greke apo për të dyja?

Në Spanjë, Black Rock ka arritur të hyjë në tregun e patundshmërive, sot kontrollon katër kompani të mëdha të patundshmërive dhe të bëhet aksionar i rëndësishëm në gjashtë bankat më të mëdha spanjolle.

Edhe pse aktivitetet e tij të konsulencës janë ndaluar në vitin 2012 prej një fushate të ashpër shtypi prej dorës së bankierëve anonimë që e gjenin ‘jo të arsyeshme’ që t’i besohej kompanisë amerikane vendosja e çmimeve të aseteve të patundshmërive të bankave, portofolat e të cilave qenë studiuar tashmë nga ‘shkëmbi i zi’ në një kontratë të mëparshme me Bankën Qendrore të Spanjës.

Black Rock thoshin bankierët, ishte në një pozicion të privilegjuar si blerës i ardhshëm. Ministrit të atëhershëm të Financave spanjolle Luis de Guindos, sot i treguar si zëvendëspresident i BQE-së, ju desh ta braktisë idenë që t’ia besonte Black Rock studimin mbi investimet e patundshmërive të bankave spanjolle.

Banka Qendrore e Holandës e ka thirrur dy herë Black Rock, deri në vitin 2013 për studimin e aseteve e patundshmërive dhe për kreditë e këqija të bankave holandeze, si puna e ING-së, ku ‘shkëmbi i zi’ është aksionar.

Edhe Banka Qendrore Evropiane i është drejtuar dy herë Black Rock për aktivitete të këshillimit. Në vitin 2014, institucioni i drejtuar nga Mario Draghi thërret Black Rock Solutions për të hartuar një program blerjesh të titujve të garantuar (ABS) dhe në vitin 2016 për të përgatitur stres test për 39 banka evropiane, banka në të cilat shpesh Black Rock është aksionar i rëndësishëm.

Nga Frankfurti, Banka Qendrore Evropiane ka hedhur poshtë çdo rrezik për konflikt interesi, duke garantuar se, “konfidencialiteti i informacioneve sigurohet nga termat e kontratës”. Por Banka Qendrore e Greqisë i ka zbuluar Investigate Europe se i ka pasur disa dyshime.

“Në vitin 2015 e kemi përjashtuar Black Rock nga përgatitja e stres test për bankat prej rrezikut të një konflikti interesi”, thotë Banka Qendrore e Greqisë.

‘Shkëmbi i zi’ është mbrojtur gjithmonë fuqimisht nga akuzat e konfliktit të interesit.

“Ekipet tona janë qartësisht të ndara. Ekzistojnë barriera të mëdha për të siguruar që informacioni të mos rrjedhë dhe të mos ketë konflikt interesi”, i ka shpjeguar Larry Fink një të përditshmeje gjermane më 2016.

Por, duke pranuar që muret kineze vërtet funksionojnë, këto nuk ekzistojnë më në nivel hierarkik më të lartë të një kompanie.

Martin Hellwig, ish-drejtor i Komisionit Gjerman për Monopolet, thotë se, “një kompani private merr një mision publik? Kjo është thellësisht e gabuar”.

Hans-Peter Burghoff i Universitetit të Hohenheim në Shtutgart, shton se, “qasja ekskluzive për autoritetet evropiane të vëzhgimit i jep pashmangshmërisht një avantazh të madh strategjik Black Rock karshi të gjithë konkurrentëve të tij”.

Po kush e kontrollon kontrollorin? Kjo nuk duket si preokupim për politikanët evropianë, të cilët edhe punësohen nga Black Rock.

Ministri britanik i Financave nga 2010 deri 2016, George Osborne, ka një kontratë konsulenti me ‘gurin e zi’, i cili përfiton 740 mijë euro në vit për të punuar një ditë në javë. Kur ishte ministër i kishte takuar shumë herë përfaqësuesit e Black Rock, teksa avanconte reformën e pensioneve dhe çlironte një treg të fondeve të pensionit prej 25 miliardë sterlinash.

Në Gjermani, ‘guri i zi’ ka peshkuar Frederic Merz, ish-kreu i VDU-së në parlamentin gjerman, në Zvicër është ish-guvernatori i Bankës Qendrore, Philippe Hildebrand ai që ka ndjekur sirenat e Larry Fink. Kurse në Francë, presidenti aktual i Black Rock, Jean-François Cirelli është edhe konsulent i presidentit Emmanuel Macron. Daniela Gabor nga Universiteti i West England në Bristol, e njeh mirë ‘gurin e zi’ pasi ka ndjekur legjislacionin financiar në Bruksel dhe sintetizon se, “Black Rock nuk është vetëm një histori fondesh pasive. Është historia e një pushteti politik”. /Gazeta Tema/