Search

‘Bloomberg’: Leku, te valutat me performancën më të mirë për 2017

Mediumi më i madh botëror për financa ‘Bloomberg’, në javën e fundit të këtij viti ka publikuar aktivet me performancën më të mirë e më të keqe për vitin 2017, përfshirë titujt e kapitalit, borxhit, lëndët e para si dhe valutat.

Ndër valutat me performancën më të mirë, Bloomberg ka renditur edhe lekun, që ka shtuar rreth 14.5 për qind kundrejt dollarit amerikan. Vendin e parë e zë valuta e Mozambikut, ndërsa euro renditet në vendin e 8-të, pasi ka marrë vrull këtë vit me pritshmëritë për lajmërimin e përfundimit të programit lehtësues nga Banka Qendrore Evropiane. Valuta e Uzbekistanit ndërkohë ka pasur performancën më të keqe krahasuar me dollarin amerikan.

Përgjithësisht, aktivet me risk të lartë kanë pasur performancë të mirë, kryesisht aksionet, titujt e borxhit në tregjet në zhvillim dhe borxhin koorporativ. Megjithatë, kjo nuk është asgjë krahasuar me kriptovalutat, me Bitcoin që është rritur me 1,700 për qind, ndërsa monedha të tjera rivale si Ethereum dhe Litecoin kanë shtuar mbi 6,000 për qind të vlerës.

Indeksi i titujve të kapitalit në Ukrainë është rritur me 80 për qind, ndërkohë që Fondi Monetar Ndërkombëtar deklaroi gjatë muajit maj se pret një rimëkëmbje të ekonomisë, gjë që solli optimizëm te investitorët. Këta të fundit i janë drejtuar tregjeve në zhvillim këtë vit, në kërkim të kthimeve më të larta.

Megjithatë, viti nuk ka qenë aq pozitiv për Katarin dhe Pakistanin, indekset e të cilave kanë rënë me 16.5 për qind përkatësisht 22 për qind. Vendi i Gjirit Persik ka qenë në disavantazh prej shkëputjes së lidhjeve diplomatike e të transportit nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara, Bahreini dhe Egjipti. Në tregun e titujve të borxhit, Greqia dhe Argjentina kanë pasur performancën më të mirë, ndërsa Japonia dhe Venezuela renditen nga fundi. /ScanTV