Search

Bordi i FMN-së: Kosova me performacë të mirë ekonomike

Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) ka mirëpritur përformancën e mirë ekonomike të Kosovës dhe reformat që janë ndërmarrë, si dhe i ka bërë thirrje autoriteteve që t’i përshpejtojnë edhe më shumë reformat strukturore.

Këto komente kanë dalë nga përmbyllja e suksesshme e Mbledhjes së Bordit të FMN-së për Kosovë ku është diskutuar rreth raportit të stafit të FMN-së ‘Konsultimet e Artikullit IV me Kosovën’. Po ashtu, pas vlerësimit të performancës, anëtarët e Bordit e kanë aprovuar edhe kalimin e Kosovës nga Artikulli XIV në Artikullin VIII.

Sa i përket politikave fiskale, Bordi u pajtua se politikat fiskale mbeten adekuate dhe se rregulla fiskale siguron ruajtjen e qëndrueshmërisë fiskale në vend. Duke u ndërlidhur me sektorin financiar, Bordi vuri në pah progresin e madh të arritur në sektorin financiar dhe e përshëndetën zbatimin e rekomandimeve të Programit të Vlerësimit të Stabilitetit Financiar që është realizuar në vitin 2012. Bordi vlerësoi pozitivisht zhvillimet në sistemin financiar të Kosovës, ku theks i veçantë u vu mbi rritjen e kreditimit, përmirësimin e kornizës së mbikëqyrjes dhe rregullimit të sektorit financiar.

Një vlerësim i përgjithshëm pozitiv u theksua edhe për përmirësimet e viteve të fundit në raportin e Bankës Botërore ‘Doing Business, 2018’, në të cilin Kosova ka avancuar në shumë fusha të rëndësishme për përmirësimin e ambientit afarist, përfshirë edhe qasjen në financa. /Gazeta Ekonomia