Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Borxhi publik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës arrin rekordin mbi 22 trilionë dollarë

Borxhi publik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka arritur një rekord të ri.

Sipas të dhënave të publikuara nga Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, më 11 shkurt vlera e përgjithshme e borxhit arriti në 22.01 trilionë dollarë.

“Borxhi kombëtar tani i ka kaluar 22 trilionë dollarët, pasi e kemi shtuar me 1 trilion dollarë vetëm në 11 muajt e fundit”, theksoi Michael A. Peterson, kryeekzekutivi i Fondacionit Peter G. Peterson, që ka në qendër të punës trajtimin e sfidave fiskale afatgjata të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Arritja e këtij guri kilometrik kaq shpejt është shenja e fundit se gjendja jonë fiskale jo vetëm është e paqëndrueshme, por edhe (përkeqësimi) po përshpejtohet”, shtoi ai.

Analistët thonë se ulja e taksave prej 1.5 trilion dollarësh nga Administrata Trump dhe rritja e shpenzimeve qeveritare kanë nxitur rritjen e shpejtë të deficitit buxhetor dhe të borxhit publik.

Zyra e Kongresit për Buxhet, e cila njihet si zyrë analitike jopolitike për legjislaturën amerikane, ka parashikuar se deficiti do të vazhdojë të rritet në vitet në vijim.

Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë borxhin më të lartë në krahasim me borxhin global, duke u përcjell nga Japonia dhe Kina. /Gazeta Ekonomia/