Search

BREXIT i humb Britanisë 5 mijë vende pune në sektorin bankar

Rreth 5 mijë vende të punës në sektorin bankar do të zhvendosen nga Britania e madhe apo do të hapën në shtetet tjera deri në mars të vitit të ardhshëm, pikërisht për shkak të BREXIT-it, dëshmoi rezultati i anketës të bërë nga agjencia e lajmeve, Reuters, në të cilën u përfshinë institucionet financiare, përcjell Telegrafi.

76 kompani, nga gjithsej 119 sosh që morën pjesë në anketë, theksuan se duhet të zhvendosin punëtorët për shkak të BREXIT-it, i cili pritet të ndodh në mars të vitit të ardhshëm. 29 kompani janë të mendimit se BREXIT-i nuk do të ketë ndikim në veprimtarinë e tyre, ndërsa kompanitë tjera ende janë duke shqyrtuar se si do të veprojnë në të ardhmen.

Reuters dërgoi në adresë të 164 bankave që veprojnë në Britani pyetjen për planet e tyre për zhvendosjen e mundshme të punëtorëve pas BREXIT-it, ndërsa 119 kompani ju përgjigjen pyetjeve të agjencisë.

65 organizata ofruan edhe të dhëna për numrin e punëtorëve që kanë aktualisht në Britani dhe sipas këtyre të dhënave, numri i të punësuarve në sektorin bankar arrin në 447 mijë njerëz. 48 kompani, të cilat nuk kanë ofruar të dhëna për planet e tyre për BREXIT, së bashku punësojnë mbi 375 mijë njerëz.