BREXIT po godet investimet britanike

Ekonomia e Britanisë së Madhe u ngadalësua në tremujorin e katërt të 2018-së, duke e çuar rritjen ekonomike në nivelin më të ulët në gjashtë vite.

Shqetësimet lidhur me BREXIT-in kanë goditur investimet britanike. Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me vetëm 0.2 për qind në tremujorin e katërt 2018 nga 0.6 për qind rritje që u regjistrua në tremujorin paraprak.

“Produkti i Brendshëm Bruto u ngadalësua në tremujorin e fundit, prej rënieve të mëdha në prodhimin e makinave dhe produkteve të çelikut si dhe ngadalësimit të aktivitetit në ndërtim”, thotë Zyra e Statistikave të Britanisë së Madhe.

Për të gjithë 2018-ën, rritja ekonomike u ngadalësua në nivelin më të ulët që prej vitit 2012, pra në 1.4 për qind. Eksportet pësuan goditje prej ngadalësimit botëror të tregtisë, ndërsa konsumatorët dhe bizneset janë shqetësuar gjithnjë e më shumë për mungesën e një plani për BREXIT.

Në muajt e fundit të 2018-së, ngadalësimi i aktivitetit në të gjithë botën ndikoi të gjithë ekonomitë e mëdha, pjesërisht prej tensioneve mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas të dhënave, tregtia neto i hoqi 0.1 për qind rritjes ekonomike në tremujorin e katërt, ndërsa investimet e bizneseve dhanë të njëjtin efekt negativ.

Kryeministrja britanike Theresa May ka dështuar të fitojë mbështetje në parlament për planin e BREXIT-it që ra dakord me Brukselin, ndërkohë që vetëm shtatë javë kanë mbetur nga dalja ligjore e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian.

0 Reviews

Write a Review

Read Previous

Samiti i Qeverisë Botërore në Dubai bën thirrje për ‘Globalizimin 4.0’

Read Next

Bie suficiti tregtar i Gjermanisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës