Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

BREXIT shtyhet deri më 31 tetor

Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Theresa May dhe udhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan për shtyrjen e datës së BREXIT-it, apo të daljes së kësaj të fundit nga Bashkimi Evropian deri më 31 tetor.

Pas samitit në Bruksel, presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, njoftoi në orët e para të së enjtes se May është pajtuar me kushtet e Bashkimit Evropian për shtyrje.

Tusk e përshkroi marrëveshjen si ‘shtyrje fleksibile’, duke thënë se ajo nënkupton “gjashtë muaj shtesë për Mbretërinë e Bashkuar, për të gjetur zgjidhjen më të mirë të mundshme”.

“Ju lutem, mos humbni kohë”, tha Tusk.

Konkluzionet e samitit të Bashkimit Evropian thonë se Britania e Madhe “duhet të përmbahet nga çdo masë që i rrezikon projektet kyçe të Bashkimit Evropian”.

Ky kusht thuhet se synon të parandalojë Britaninë e Madhe nga ushtrimi i fuqisë së vetos mbi iniciativat në Bruksel, gjatë periudhës shtesë për BREXIT-in.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian planifikojnë të takohen sërish në qershor për të vlerësuar situatën.

Britania e Madhe mund të largohet nga Bashkimi Evropian para 31 tetorit, nëse May arrin të bindë shumicën në Parlamentin britanik që të mbështesë marrëveshjen për BREXIT që ajo ka negociuar me Bashkimin Evropian, vitin e kaluar.

Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se BREXIT-i pa marrëveshje do të ishte ‘një katastrofë totale’ dhe se Brukseli do të bëjë gjithçka të mundur për të shmangur skenarin pa marrëveshje.

“Do të kemi BREXIT me marrëveshje”, tha Juncker.

Samiti në Bruksel është thirrur në përpjekje për të parandaluar daljen e Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian më 12 prill pa marrëveshje me bllokun, pasi Parlamenti britanik e ka refuzuar marrëveshjen e Mayt tri herë.

“Britania e Madhe është dashur të largohet tashmë nga Bashkimi Evropian dhe sinqerisht më vjen keq që nuk kam qenë ende në gjendje ta bind Parlamentin që ta miratojë marrëveshjen”, tha May.

Ajo kërkoi shtyrje të afatit deri më 30 qershor, për të provuar ndërtimin e mbështetjes për marrëveshjen e saj.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, e mbështeti shtyrjen deri më 30 qershor dhe kundërshtoi përpjekjet nga Gjermania dhe vendet e tjera të Bashkimit Evropian për të ofruar shtyrje për një vjet.

Kjo çoi në ofertën e kompromisit për Britaninë e Madhe më 31 tetor, e cila u mbështet në mënyrë unanime nga të 27 shtetet e tjera të Bashkimit Evropian.

Britania e Madhe ka vendosur për largimin nga Bashkimi Evropian në një referendum të mbajtur në vitin 2016.

Ekspertët kanë paralajmëruar se BREXIT-i pa marrëveshje do të shkaktonte kaos ekonomik në Britani të Madhe por edhe në Bashkim Evropian. /REL/