Search

BSH: Industria, mbi mesataren historike

Përveç industrisë, sektorët e tjerë të ekonomisë shqiptare, si shërbimet, tregtia dhe ndërtimi, janë nën nivelin historik të shfrytëzimit të kapaciteve.

Sipas një vrojtimi të Bankës së Shqipërisë, i cili merr në analizë këta sektorë për tremujorin e tretë të vitit, industria ka një nivel shfrytëzimi të kapaciteve prej 74 për qind, 1.7 pikë përqindjeje mbi mesataren historike të saj.

Ndërsa për fushën e shërbimeve, kjo normë rezultoi në rreth 73 për qind, me rritje në krahasim me tremujorin e mëparshëm. Megjithatë, kjo normë mbetet 3.4 pikë përqindjeje nën mesataren historike të shfrytëzimit të kapaciteteve nga bizneset e shërbimeve.

Ndërtimi ka pasur përmirësime të ndjeshme të shfrytëzimit të kapaciteve në vitet e fundit, duke shënuar 62.9 për qind, 1.2 pikë përqindjeje nën mesataren historike të saj.

Me rënie shfrytëzimi të kapaciteteve është tregtia. Norma qëndroi rreth vlerës 69.7 për qind, me rënie krahasuar me tremujorin e mëparshëm, por hendeku me nivelin historik është 7.3 pikë përqindjeje.

Banka e Shqipërisë ka nënvizuar shpeshherë në deklaratat e saj se, ekonomia jonë ka potenciale që nuk po shfrytëzohen plotësisht, dhe aktivizimi i tyre do të nxiste një rritje më të madhe të Produktit të Brendshëm Bruto.

Vrojtimi i bankës qendrore është bërë duke marrë në pyetje kampionë biznesi, sipas një metodologjie të Komisionit Evropian, i cili është edhe bashkëfinancues në Shqipëri i këtyre studimeve. /Top Channel