Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Çdo shqiptar ka 3,210 euro borxh

Shqiptarët kanë 9.15 miliardë euro borxh, rriten pagesat për shërbimin e borxhit. Qeveria zgjat afatin e borxhit për t’ia kaluar pagesat qeverisë tjetër. Ulen interesat, por rriten shpenzimet për shërbimin e borxhit, për shkak të obligacionit 500 milionë euro.

Kuvendi i Shqipërisë është në diskutim të buxhetit faktik për vitin 2018. Të dhënat e konsoliduara të publikuara tregojnë se në fund të vitit 2018, Borxhi Publik u vlerësua në nivelin rreth 9.15 miliardë euro dhe e shprehur në vlerë relative, sa 67.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto ose 3,210 euro për çdo banor.

Qeveritë kanë rritur gjithmonë afatet e shlyerjes së borxheve për t’ua pasuar pasardhësve kostot e huamarrjes publike për të mbuluar diferencën mes shpenzimeve dhe të ardhurave. Sipas relacionit të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, “në portofolin e borxhit të brendshëm është ulur pesha e borxhit që maturohet brenda një viti dhe pesha e titujve me norma interesi të ndryshueshme, duke mundësuar reduktimin e ekspozimit ndaj riskut të rifinancimit dhe atij të normave të interesit”.

Për sa i përket borxhit të brendshëm shtetëror, gjatë vitit 2018, ashtu si edhe gjatë vitit paraardhës, në përputhje me politikat menaxhuese për uljen e ekspozimit ndaj risqeve, ka vazhduar tendenca e rritjes së peshës së titujve afatgjatë, kryesisht titujt me afat maturimi mbi pesë vite. Gjithashtu, pesha e titujve me norma interesi të ndryshueshme është reduktuar, pasi edhe gjatë vitit 2018 nuk ka pasur asnjë emetim të këtyre titujve.

Kostot e borxhit për njësi janë ulur, kryesisht si rezultat i normave të interesit në nivele ende të ulëta, si dhe zëvendësimit të një pjese të borxhit që maturohet me borxh më pak të kushtueshëm. Megjithatë, krahasuar me një vit më parë, shërbimi i borxhit në vlerë absolute është rritur, si rrjedhojë e rritjes së stokut të borxhit, si dhe për shkak të parapagimit të interesave dhe primit që burojnë nga procesi i parablerjes së pjesshme të Eurobondit ekzistues.

Niveli i borxhit publik në raport me PBB ka shënuar rënie prej 2.9 pikë përqindje, duke vazhduar të qëndrojë në trajektoren rënëse, e cila ka nisur që prej vitit 2016. Faktorët kryesorë që kanë ndikuar në uljen e nivelit të borxhit në raport me PBB kanë qenë konsolidimi fiskal dhe mbiçmimi i monedhës vendase në raport me monedhat e tjera të portofolit të borxhit.

Niveli i borxhit të brendshëm dhe atij të jashtëm, në raport me totalin e borxhit publik, janë përkatësisht rreth 52 për qind dhe 48 për qind, duke ruajtur pothuajse të njëjtat raporte me fundin e vitit të kaluar, si dhe duke qenë në linjë me objektivat e vendosura në Strategjinë Afatmesme të Menaxhimit të Borxhit në kuadër të menaxhimit të riskut të kursit të këmbimit.

Për sa i përket kompozimit të portofolit të borxhit publik, sipas instrumenteve, më shumë se gjysmën e peshës e mbajnë instrumentet e tregtueshme [Bono Thesari, Obligacione, Eurobond], ndjekur nga huatë e huaja me destinacion financimin e projekteve dhe huatë në formën e mbështetjes buxhetore.

Borxhi i pushtetit lokal vazhdon të qëndrojë në nivele të ulëta, rreth 715.7 milionë lekë ose 0.1 për qind e totalit të borxhit publik, kryesisht për shkak të kapaciteteve të ulëta që kanë njësitë e qeverisjes vendore për të akumuluar borxh. Gjatë vitit 2018 nuk ka pasur asnjë kërkesë të re për huamarrje vendore.

Portofoli i borxhit shtetëror, pavarësisht diversifikimit të viteve të fundit drejt instrumenteve të tregtuara në tregjet e huaja, gjatë vitit 2018 vazhdon të dominohet mbi 50 për qind nga titujt shtetërorë të tregtuar në tregun vendas. Diversifikimi i portofolit drejt instrumenteve të huaja reflekton politikat e huamarrjes gjatë viteve të fundit, të cilat nisur edhe nga kufizimet e tregut të brendshëm, kanë pasur si qëllim uljen e presionit të huamarrjes së brendshme për të lehtësuar procesin e ristrukturimit të portofolit të borxhit të brendshëm.

Gjatë vitit 2018, vlen të theksohet rritja e peshës në kategorinë e titujve ndërkombëtarë, si rezultat i emetimit të Eurobondit të ri. Në tetor 2018, Ministria e Financave dhe Ekonomisë emetoi në tregjet ndërkombëtare Eurobondin me vlerë 500 milionë euro, afat maturimi 7-vjeçar dhe normë interesi prej 3.5 për qind.

Gjithashtu, transaksioni i emetimit të Eurobondit u shoqërua me procesin e parablerjes së pjesshme të një pjese të Eurobondit ekzistues prej 200 milionë euro që maturohet në vitin 2020. Transaksioni i Eurobondit shërbeu për të menaxhuar nevojat për likuiditet të vitit 2018, si dhe të viteve pasardhëse, për të reduktuar riskun e rifinancimit, për të mbajtur nën kontroll kostot që mund të materializohen në periudhën afatmesme, si rezultat i rritjes së normave të interesit në tregjet ndërkombëtare përtej pritshmërive si dhe për të ulur presionin për hua në tregun e brendshëm.

Përbërja e borxhit shtetëror sipas monedhave në fund të vitit 2018 paraqitet pothuajse e njëjtë me atë të vitit të kaluar. Pjesën më të madhe të portofolit të borxhit shtetëror e zë monedha vendase me 52.3 për qind të totalit, ndjekur nga monedha euro me 32 për qind dhe dollari amerikan me 10.5 për qind. Portofoli i borxhit të brendshëm vazhdon të dominohet nga monedha vendase dhe vetëm 1.7 për qind e tij përbëhet nga monedha euro. Ndërkohë, portofoli i borxhit të jashtëm kompozohet tërësisht nga monedha të huaja dhe mbizotëron me 66.3 për qind monedha euro e ndjekur nga dollari amerikan me 22.4 për qind.

Qeveria po synon diversifikimin e mbajtësve të borxhit publik, por sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë “në tregun primar, kërkesa për tituj shtetërorë, megjithëse mbetet ende jo shumë e diversifikuar dhe e bazuar kryesisht te sektori bankar, gjatë vitit 2018 ka qenë e kënaqshme dhe ka pasur tendenca për t’u diversifikuar në drejtim të individëve”.

Gjatë vitit 2018, është testuar projekti pilot për emetimin e obligacioneve 5-vjeçare referencë në formën e sistemit Primary Dealer, i cili ka si objektiv stimulimin e aktivitetit të tregut sekondar. Ky projekt monitorohet nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, si dhe realizohet në bashkëpunim me pesë zhvillues tregu. Në ankandet e obligacioneve referencë në tregun primar lejohet të marrin pjesë vetëm zhvilluesit e tregut, pesë banka të nivelit të dytë, të cilët marrin përsipër të tregtojnë këtë titull në tregun sekondar. Pritshmëritë janë që ky projekt të nxisë tregtimin e titujve në tregun sekondar dhe të risë zbulueshmërinë e çmimit të titujve, duke reduktuar në këtë mënyrë kostot e huamarrjes në periudhën afatmesme dhe afatgjatë.

Rezultatet paraprake të këtij projekti kanë treguar se ka pasur rritje të volumit të tregtimit të këtij titulli në tregun sekondar dhe për më tepër, edhe rritje të volumit të titujve me maturitet të mbetur pesë vite. Në vijim, Ministria e Financave dhe Ekonomisë po planifikon shtrirjen graduale të këtij projekti edhe në titujt me maturitete të tjera.

Gjatë vitit 2018, normat mesatare të ponderuara të titujve shtetërorë pothuajse qëndrojnë në nivele të ngjashme me vitin 2017, duke shfaqur një tendencë të moderuar rritëse në drejtim të obligacioneve me afat të gjatë maturimi. Megjithatë, që prej fillimit të vitit 2018, tendenca e normave të interesit ka qenë rënëse, duke reflektuar politikën monetare të Bankës së Shqipërisë dhe nivelin e kënaqshëm të kërkesës shoqëruar me presionin e ulët për hua nga qeveria. /Monitor/