Search

Çfarë po ndodh me protestuesit në Francë?

Në njërën anë është Emmanuel Macron, udhëheqësi i një prej vendeve më të fuqishëm në botë, i cili u bë i pasur si investues në banka dhe mori frerët e ekonomisë së shtatë më të madhe në planet që pa mbushur 40 vjeç.

Në anën tjetër janë ‘Jelekët e Verdhë’, një grup protestuesish që sa vjen e rritet, e që duket se kanë mbështetje të madhe nga populli. Ata kanë protestuar çdo të shtunë, duke u përplasur aq dhunshëm me policinë sa kanë krijuar skena si prej një lufte civile, dhe këtë të shtunë janë prapë në rrugë.

Përplasjet kanë ndodhur në qendër të Parisit dhe ka pasur shumë të plagosur, më shumë se 100 të arrestuar, si dhe dëme të shumta. Numri i personave që dolën në protestë më 17 nëntor, duke vënë barrikada, mendohet se ishte 280 mijë. Sipas Ministrisë së Brendshme franceze, 106 mijë të tjerë u mblodhën të shtunën e kaluar.

Për çfarë po protestojnë?

Qeveria e presidentit Macron ka vendosur që të rrisë çmimin e naftës dhe të benzinës, me qëllimin që të ulet ndotja e mjedisit e që njerëzit të shtyhen drejt formave të transportit që prodhojnë më pak helme.

Për çdo litër karburant, 60 për qind e tyre janë taksa në Francë. Qeveria i rriti që në fillim të vitit 2018, specifikisht me nga 7.6 cent të euros për litër nafte dhe 3.6 cent për litër benzine, ndërkohë që edhe çmimi i naftës nëpër botë është duke u rritur.

Veç kësaj, ka vendosur t’i rrisë prapë në vitin 2019, duke filluar nga data 1 janar 2019, me nga 6.5 centë të tjera për naftën dhe 2.9 për benzinën.

Kush po proteston?

Protestat në Francë kanë qenë historikisht të organizuara nga sindikatat, por të ashtuquajturit “Jelekët e Verdhë”, për shkak të jelekëve fluoreshentë që kishin veshur, erdhën fillimisht nga persona që kishin biznese me automjete, shoferë e pronarë të ndryshëm, të cilët protestuan të parët. Sondazhet kanë treguar se ata kanë mbështetjen e dy të tretave të popullit.

Edhe pse personat që e nisën nuk janë të përfshirë me parti, grupet e opozitës nxituan menjëherë që të përfshihen e të përfitojnë nga situata.

“Kjo qeveri nuk e ka kuptuar zemëratën e popullit francez”, tha sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste.

“Presidenti nuk e dëgjon popullin”, thanë republikanët.

“Ne ishim të parët që e mbështetëm këtë lëvizje”, tha dhe nacionalistja, Marie Le Pen.

Përfshirja e këtyre të fundit ka bërë që sindikatat e punëtorëve dhe komunistët të mos e mbështesin protestën.

Qeveria nuk tërhiqet

Kryeministri francez deklaroi se qeveria nuk do të tërhiqet nga taksat, por do të angazhohet më shumë që të mbështesë përhapjen e formave më pak ndotëse të transportit, duke dhënë subvencione për makinat me shumë përdorues, si dhe për teknologji të pastra transporti, por këto masa nuk i kanë qetësuar aspak ‘Jelekët e Verdhë’.

Qeveria e Francës është e vendosur t’i japë fund varësisë nga nafta, pasi makinat me naftë përbënin tre të katërtat e makinave në vend, pak kohë më parë. Kjo shifër ka rënë në 40 për qind, për shkak të taksave më të larta mbi makinat me naftë.

Edhe pse Franca njihet për transport publik të mirë, 70 për qind e banorëve shkojnë në punë me makinat e veta, pothuajse sa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku kjo shifër është 76 për qind. Shoqatat dhe partitë ekologjike, të cilat përkrahin nismën e qeverisë, thonë se protestuesit duhet të kërkojnë zhvillimin e makinave më të lira e më pak ndotëse, në vend që të kërkojnë uljen e çmimit të karburanteve.

Çfarë mund të ndodhë më pas?

Macroni ka ndërmarrë reforma shumë të forta edhe më parë. Ai ndryshoi ligjet e punësimit, që i bëjnë kompanitë ta kenë më të lehtë që të punësojnë të rinj e të pushojnë nga puna ata që kanë. Kjo shkaktoi protesta të forta në mars të këtij viti.

Në të njëjtën kohë, punëtorët e hekurudhave protestuan kundër reformës së Makronit për të privatizuar kompaninë shtetërore të hekurudhave.

Ekspertët thonë që protestat janë pjesë e kulturës franceze.

“Sa thua ‘reformë’, ata bëjnë protesta”, tha një prej tyre.

Vitin tjetër Macroni pritet të reformojë edhe pensionet, një çështje edhe më delikate, që pritet të jetë edhe më e nxehtë.