Search

Çmimet e naftës në botë vazhdojnë të bien

Çmimet e naftës së papërpunuar shënuan një ulje të vogël, pavarësisht nga raportet që Arabia Saudite ka ulur eksportet e saj të papërpunuara për të ndihmuar në rritjen e çmimeve.

Zyrtarët e Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, thanë se Arabia Saudite deri në fund të janarit planifikon të zvogëlojë eksportet e saj të naftës së papërpunuar në rreth 7.1 milionë fuçi në ditë për të ndihmuar në rritjen e çmimeve të naftës në mbi 80 dollarë për fuçi.

Sipas Organizatës së Vendeve Eksportuese të Naftës, shitësi më i madh i naftës së papërpunuar në botë ka eksportuar rreth 7.4 milionë fuçi në ditë në muajin dhjetor dhe 7.9 milionë fuçi në ditë në muajin nëntor.

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës e udhëhequr nga Arabia Saudite dhe Rusia më 7 dhjetor u pajtuan për të zvogëluar prodhimin e përgjithshëm të naftës së tyre me 1.2 milion fuçi në ditë duke filluar nga 1 janari për gjashtë muaj, por plani deri më tani ka pasur pak ndikim në çmimet e naftës së papërpunuar.

Në anën e kërkesës, perspektivat e dobëta të rritjes ekonomike në mbarë botën për vitin 2019 hodhën një hije për kërkesën globale të naftës.

Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy ekonomitë më të mëdha në botë, të hënën rifilluan negociatat në Pekin për të zgjidhur mosmarrëveshjet e tyre tregtare.

Sipas mediave ndërkombëtare, Sekretari amerikan i Tregtisë, Wilbur Ross, tha se Kina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës mund të arrijnë “një zgjidhje të arsyeshme që të dy vendet të mund të jetojnë me të”.

Sipas ekspertëve, një marrëveshje tregtare mund të reduktojë ngadalësimin ekonomik botëror dhe të mbajë të lartë kërkesën botërore të naftës, megjithatë mosarritja e një marrëveshjeje do të përkeqësonte perspektivat e rritjes ekonomike dhe do të mbante një presion në rënie në kërkesën dhe çmimet e naftës.

Në tregun ndërkombëtar, nafta e llojit Brent tregtohet me 57.28 dollarë për fuçi, me një humbje ditore prej 0.5 për qind, pasi ditën e djeshme e mbylli me 57.66 dollarë për fuçi.

Nafta amerikane Ëest Texas Intermediate në të njëjtën kohë tregtohet me 48.55 dollarë për fuçi, me një humbje prej 0.4 për qind, pasi ditën e djeshme e mbylli me 48.75 dollarë për fuçi.