Search

Debati presidencial, Trump shpëton falë ‘lojës’ sulmuese

57 përqind e amerikanëve i’a kanë dhënë fitoren ish-zonjës së parë në debatin e dytë presidencial. Deri më tani janë zhvilluar dy nga tre debatet e parashikuara dhe Hillari Kllinton i ka fituar që të dyja.

Pavarësisht disfatës, për Donald Trump debati i së dielës mbrëma mund të cilësohet si fitorja më e madhe gjatë fushatës së tij elektorale, pasi në një farë mënyre, arriti të shpëtonte kandidaturën e tij. Gjatë fundjavës u publikua një video-skandal, ku Trump dëgjohej duke përdorur fraza të natyrës seksuale kundër femrave.

Republikanët kërkuan zëvendësimin e tij me Pence, i cili kandidon për postin e zëvendës Presidentit. Trump shpëtoi falë debatit të së dielës. Ndryshe nga debati i parë, Donald Trump luajti në sulm dhe jo në mbrojtje, dhe kjo rezultoi strategjia e saktë, edhe për të lënë në hije disi vidio-skandalin pasi fuqizon edhe më shumë bazën e elektoratit të tij, që është thellësisht konservator.

Debati i së dielës u karakterizua nga një fjalor tepër i ashpër mes dy kandidatëve për Shtëpine e Bardhë. Trump e cilësoi si ‘djall’ zonjën Kllinton duke i thënë se në rast se ai do të kishte qënë president, ajo sot do të ishte në burg për skandalin e fshirjes së e-mailëve.

Tregjet europiane dhe monedha meksikane u regjistruan në rritje të ndjeshme në çelje të sesionit të sotëm si pasojë e gjasave më të vogla për fitoren e Donald Trump në zgjedhjet e datës 8 nëntor.