Search

Deficiti tregtar zbulon Shqipërinë e vërtetë

Sipas publikimit të fundit të të dhënave të INSTAT për Tregtinë e Jashtme të vendit, del se në vitin 2017 eksportet e mallrave shqiptarë kapën vlerën e dy miliardë eurove me një rritje prej 12.1 për qind, ndërsa importet e mallrave nga jashtë vendit arritën vlerën e 4.7 miliardë euro me një rrijte prej 8,1 për qind.

Deficiti tregtar, për vitin 2017 është rritur me 5.2 për qind, i barabartë me 2.66 miliardë euro.

Duke i shtuar kësaj shifre edhe deficitin tregtar të krijuar për periudhën 2013 – 2017, arrihet në shifrën e frikshme prej 11.7 miliardë euro, pak më shumë sa Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB) i të gjithë vitit 2017.

Gjendja përkeqësohet nga nënfaturimi i doganave, ndaj lehtësisht mund të themi se vlera e mallrave të importuara dhe si rrjedhim vlera e deficitit tregtar është akoma më e lartë se sa ajo e llogaritur më sipër.

Rritja e deficitit tregtar në këto nivele ka filluar me futjen e euros në vitit 2002, pra prej 16 vitesh. Në këtë periudhë rezervat e Shqipërisë në valutë të huaj të vendeve të Bashkimit Evropian u numëruan dhe u kthyen në euro. Në atë kohë, sasia e valutës në euro në qarkullim në Shqipëri e njohur nga Banka Qendrore Evropiane dhe Banka e Shqipërisë arriti vlerën e më pak se sa gjysëm miliardë euro.

Që atëherë e deri më sot ka vazhduar të regjistrohet një deficit tregtar më i lartë se sa një miliard euro në vit, dhe ashtu sikurse do ta tregojmë më poshtë, pjesa më e madhe e këtij defiçiti nuk është e mbuluar nga burime të ligjshme apo të gjurmueshme.

Në fakt, deficiti tregtar, sipas teorisë ekonomike kompesohet nga Investimet e Huaja Direkte (IHD) – të vlerësuar gjatë viteve të fundit në rreth 800-900 milionë euro në vit; Dërgesat e emigrantëve përmes kanaleve zyrtare – të vlerësuara në rreth 400-500 milionë euro në vit; Dërgesat e emigrantëve të ardhura në para të gatshme – të pamundura për tu matur; Të ardhurat nga trafiqet e paligjshme në para të gatshme – të pamundura të matur; Ulja e depozitave në valutë të huaj e disponueshme në vend- ndryshime të parëndësishme; Pakësimi i stokut të valutës së huaj në para të gatshme – i pamundur për tu matur; dhe Zhvlehtësimi i valutës në vend, pra lekut – nuk është zhvlerësuar, por është rivlerësuar.

Nuk ka nevojë të jesh një ekonomist me eksperiencë për të kuptuar se nëse këmbimi i lekun nuk ka rënë, depozitat në valutë kanë mbetur kryesisht të pandryshuara dhe dërgesat zyrtare dhe investimet e huaja direkte mbulojën gjysmën e deficitit tregtar.

E thënë me fjalë të thjeshta, vetëm në vitin 2017 kemi shpenzuar për konsumin tonë rreth 1.3 miliardë euro ‘në të zezë’, pra të ardhura në para të gatshme nga emigratët, apo nga trafiqet e paligjshme, ose të nxjerra nga dysheku, të krijuara në të shkuarën por gjithmonë në para të gatshme.

Për ta thënë edhe më thjeshtë, vetëm gjatë viti të fundit në vend kanë hyrë 1.3 miliardë euro ‘në të zezë’ ose më saktë kemi ngrenë 1.3 miliardë euro, gjithmonë në të zezë, pra të padeklaruara.

Ky fakt, mbi numra analogë, zgjat të paktën prej 16 vitesh.

Është e lehtë të kuptosh se probabiliteti më i lartë është që pjesa më e madhe e parave të tilla ‘në të zezë’ vijnë nga aktivitete të paligjshme. Ndërsa fakti që e gjithë kjo sasi parash në të zezë të jetë depozituar në bankat shqiptare, dhe të përdorura më pas për të paguar importet është i dukshëm nga stoku i pandryshuar i depozitave bankare në euro.

Por si mundet që sistemi i kontrollit të pastrimit të parave, që sipas qeverisë është përmirësuar shumë në klasifikimet ndërkombëtare, nuk e ka vënë re një gjë të tillë? /Exit.al