Search

Dështimi i Socializmit [Video]

Sistemi socialist ishte proklamuar si sistemi në të cilin do të kishte bollëk për secilin dhe ku secili do të ishte i barabartë. Mirëpo, pas disa dekada eksperimentim, shumica e shteteve që kishin përqafuar këtë sistem kishin arritur vetëm këtë të dytën, pra barazinë. Por kjo nuk ishte barazi me bollëk, por barazi në varfëri – të gjithë ishin të varfër dhe të gjithë ishin të barabartë.

Njëra prej arsyeve se pse ky sistem dështoi, ishte edhe tendenca për të pasur një ekonomi të centralizuar, ku shteti kontrollonte gjithcka, madje caktonte edhe çmimet. Gjë që ishte e pamundur të bëhej dhe më së miri ilustrohet me një video të vitit 1961 e realizuar në Bashkimin Sovjetik.

Në video shihet një zyrtar i lartë i Komitetit Shtetëror të Çmimeve nga Bashkimi Sovjetik i asaj kohe. Ai me krenari tregon se si ky Komitet i përcakton çmimet e të gjitha produkteve që shiten në vend, gjithsej 25 milionë produkte. Sipas tij, rreth 400 ekspertë punojnë ditë e natë për të përcaktuar këto çmime dhe si rezultat të punës së tyre tregon një mal me doracakë të çmimeve të ndryshme.

Absurditeti i kësaj qëndron në faktin se derisa të bëhet përcaktimi i çmimit, e ai çmim të miratohet në Komitet, pastaj të dërgohet doracaku për shtypje, me shumë gjasë çmimi i atij produkti do të ketë ndryshuar përsëri, gjë që edhe zyrtari sovjetik në video e pranon.

Megjithatë, shpresa e tij është se teknologjia do t’a shpëtojë sistemin, sepse nuk do të ketë nevojë që çmimet të shtypen nëpër doracakë, por ato do të zëvendësohen me Floppy Disketa. Por, sot të gjithë jemi nëdijeni se as Floppy Disketat nuk patën mundësi ta shpëtojnë këtë sistem, e madje ato nuk arritën ta shpëtojnë as veten.