Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Dhjetë krizat financiare që tronditën botën

Një krizë financiare zakonisht është një situatë kur kërkesa për para rritet në mënyrë të shpejtë. Deri para disa dekadash, krizat financiare ishte ekuivalente me krizat e bankave, sot ato mund të kenë formën e çfarëdo krize që ka të bëjë me paratë.

Shumë ekonomistë kanë ngritur teoritë se si zhvillohet një krizë financiare dhe si mund të përballohet. Sidoqoftë nuk ka një vijë të përgjithshme parandaluese dhe krizat financiare mbeten akoma një fenomen i rregullt. Falimentimi i një tregu në bursë është shembulli më i mirë i një krize financiare që nuk prek vetëm vendin, në të cilin ndodhet, por investitorë nga e gjithë bota që kanë investuar aty paratë e tyre.

Në një ekonomi të hapur moderne, financat e një vendi janë shpeshherë të varura nga zhvillimi ndërkombëtar.

Ndaj një krize financiare në një vend ka shumë gjasa të shkaktojë kriza të tilla dhe në një vend tjetër. Një shembull për këtë është kriza financiare e Tailandës në vitin 1997. Në një rast të tillë një investitor i huaj do të kishte dyshime për ekonomike e çdo vendi jo të zhvilluar sa duhet dhe do të vendoste të tërhiqte paratë nga vendi në fjalë. Kjo shkakton një ndalesë të fondeve për shumë ekonomi dhe si pasojë një krizë financiare. Fakti interesant këtu është se kompanitë në një vend me ekonomi të qëndrueshme nuk do lejoheshin të financonin për arsyen se një tjetër ekonomi e rajonit është në krizë.

Ka një listë të krizave financiare në gjithë botën që kanë ndodhur në hapësira të ndryshme kohore dhe që kanë tundur themelet jo vetëm të një shtetit. Disa prej krizave më të mëdha financiare në botë është ajo e naftës në vitin 1973, ‘E marta e zezë’ e vitit 1929, kur 10 miliardë dollarë në tregun e bursës u kthyen në hi. Kjo ishte një ndër ngjarjet që shërbeu si pararendëse e ‘Depresionit të Madh’.

Kriza e naftës (1973)

Në mes të luftës së tetorit ndërmjet Sirisë e Egjiptit kundër Izraelit, Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës përdori naftën si një armë me ‘Embargon Arabe të Naftës’ ndaj gjithë atyre që mbështetën Izraelin.

Çmimet e naftës së papërpunuar u rritën, ndërkohë që prodhimi i saj u ndërpre sidomos ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Holandës. Embargoja zgjati vetëm pesë muaj, por efektet e saj vazhdojnë dhe në ditët e sotme. Shtetet anëtare të kësaj organizate arritën një nivel mirëqenieje që të paparë ndonjëherë, ku në gjashtë javë aksionet në Bursën e Nju Jorkut humbën 97 miliardë dollarë.

E marta e zezë (1929)

Më 29 tetor 1929, 10 miliardë dollarë apo rreth 95 miliardë dollarë në vlerën e ditëve të sotshme, u kthyen në pluhur. Në vitet paraardhëse të krizës, tregu i bursës The Dow Jones po kthente në milionerë njerëz pafund. Ky lloj tregu u kthye në hobi për shumë investitorë injorantë, të cilët nuk dinin asgjë se si funksiononte tregu i bursës, por prapëseprapë ata vazhdonin të hidhnin lekët e tyre në rezervat e kompanive për të cilat nuk dinin asgjë.

Kur qeveria hyri në lojë në përpjekje për të qetësuar gjërat duke rritur shkallën e interesit, lindi gjendja e panikut. Investitorët u përpoqën të tërheqin rezervat e tyre dhe fatkeqësisht edhe bankat kishin investuar në bursë. Kjo shkaktoi Depresionin e Madh që u pasua nga gjithë bota.

Krizat financiare të Azisë Lindore (1997)

E ashtuquajtura ‘mrekullia ekonomike aziatike’ rezultoi me shkatërrimtare në muajin korrik të vitit 1997, kur investitorët bënë atë që dinë të bëjnë më mirë: humbën sigurinë tek bursa.

Kursi i lartë i prodhimeve i bëri tregjet aziatike tërheqëse, por kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës ulën normat e interesit, tregjet aziatike filluan të jenë në rrezik. Si pasojë ndodhi efekti domino duke filluar në Tailandë, për të përparuar në Filipine, Hong Kong, Indonezi, Malajzi dhe si pasojë duke shkaktuar kriza botërore.

Tregjet aziatike që ishin përballur me një prosperitet të rrallë deri atëherë pësuan humbje të mëdha.

Krizat financiare ruse (1998)

Korrupsioni, mungesa e reformave efektive ekonomike, rënia e vlerës së rublës dhe mungesa e stabilitetit politik bënë që Rusia të përballej me kriza masive financiare. Si pasojë, duke qenë eksportuese e një të tretës së naftës dhe gazit natyror të botës, Rusia u godit akoma më shumë kur këto çmime ranë.

Kur investitorët e huaj tërhoqën paratë e tyre nga vendi, bankat u dëmtuan një shkallë jashtëzakonisht të madhe. Krizat kapluan dhe vende si Ukraina dhe Republika Çeke duke prekur direkt tregun e bursës The Dow Jones, që përjetoi një prej uljeve më të mëdha të pikëve në histori.

E hëna e zezë (1987)

Pse e hëna e 19 tetorit 1987? Pse një shkatërrim masiv i tregut të bursës? Si u zhdukën në hiç 500 miliardë dollarë nga Bursa e Nju Jorkut? Edhe pas shumë vitesh nuk ka një përgjigje të saktë dhe të pjesërishme, sepse nuk kishte pothuajse fare shenja që të paralajmëronin atë që do të ndodhte. Cilado të ketë qenë arsyeja, tregjet botërore u tronditën rëndë. Në fund të tetorit të vitit 1987, tregu australian ra me 41.8 për qind, i Kanadasë me 22.5 për qind, i Britanisë së Madhe me 26.4 për qind. Një teori e përgjithshme ia atribuon këtë shkatërrim një programit të tregtisë së menjëhershme dhe influencës në rritje të kompjuterëve në Wall Street.

Kriza ‘Souk Al-Manakh’ (1982)

Tregu i Bursës së Kuvajtit e njohur si ‘Soul Al-Manakh’ ishte një treg alternativ dhe jo krejtësisht i ligjshëm, veçanërisht në krahasim me tregun e bursës zyrtar të vendit. Sidoqoftë, shumë investitorë të rinj nuk kishin shumë qasje në tregun zyrtar ndaj filluan të investojnë në ‘Souk Al-Manakh’.

Aksionet kryheshin me çeqe të dala jashtë përdorimit dhe ky akt krijoi një kështjellë rëre që shumë shpejt u përmbys. Mijëra investitorë kishin çeqe të dala jashtë përdorimit dhe shuma e atyre arrinte në rreth 94 miliardë dollarë. E vërteta është se paratë ishin kthyer në fantazmë dhe vetëm dy banka i mbijetuan këtij shkatërrimi.

Superinflacioni gjerman (1912-1924)

Në vitin 1914 shkalla e këmbimit të dollarit amerikan me markën gjermane ishte një me katër. Në vitin 1923 shkalla e këmbimit kishte dalë aq shumë jashtë kontrollit saqë një dollar amerikan këmbehej me një trilion marka.

Ideja e aq shumë parave nëpër duar duket e këndshme, por jo kur me to nuk blen dot as një bukë.

Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, Gjermanisë iu kërkua dëmshpërblim material për koston e luftës. Si pasojë valuta vendase humbi vlerën. Atëherë, vendi vazhdoi të shtypë para deri sa u prodhuan një mijë miliardë marka.

Superinflacioni mbaroi, por jo para se t’u shkaktonte dëme e hidhërim një gjenerate të tërë gjermane.

Kriza ekonomike e Argjentinës (1999)

Viti 1980 ishte shumë i vështirë për Argjentinën: diktatura ushtarake, rënia ekonomike dhe inflacioni masiv. Borxhi i vendit u rrit gjatë gjithë viteve 90-ta dhe duke i shtuar këtu dhe korrupsionin vendi u përball me një rënie të pashmangshme në vitin 1999.

Investitorët humbën besimin dhe largimi i tyre drastik e detyroi qeverinë që të ngrinte llogaritë bankare për një vit rresht duke lejuar vetëm tërheqje të vogla.

Demonstratat u pasuan nga protesta të dhunshme, të cilat shkaktuan rënien e qeverisë së Fernando de la Rua.

Gabimi i dhjetorit (1994)

‘Gabimi i dhjetorit’ buron nga nevoja urgjente e qeverisë meksikane për të korrigjuar disa gabime monumentale të lëna pas nga administrata që kishte lënë postin.

Viti që çoi në ‘gabimin’ ishte aq i turbullt sa mjaftonte për të trembur çdo investitor të mundshëm. Bëhej fjalë për shpërthime rebelësh në Ciapas, zëra për korruptimin në nivelet më të larta të qeverisë dhe disa vrasje politike.

Administrata e presidentit Ernesto Zedillo nuk gjeti zgjidhje tjetër përveç se të zhvlerësonte peson. Kjo lëvizje shkaktoi që paratë të dilnin aq shpejt jashtë vendit duke tronditur edhe vetë qeverinë.

Paniku i vitit 1907

‘Paniku i vitit 1907’ erdhi si pasojë e faktorëve të zakonshëm: ekspansioni i tepërt dhe arsyetimi i dobët. Gjatë muajit mars, tregu i bursës u rrënua dhe një rënie tjetër që pasoi në muajin tetor bëri që Banka Kombëtare e Amerikës së Veriut të falimentonte.

Departamenti Amerikan i Thesarit u përpoq të dilte nga situata me paratë federale dhe me një riorganizim krijues financiar. Tregu arriti të stabilizohej në muajin shkurt të vitit 1908 dhe në muajin maj, atëherë kur Kongresi kaloi aktin ‘Aldrich-Vreeland’, i cili themeloi Komisionin Federal Monetar. /Gazeta Ekonomia/