Search

Djegia për pushtet

U bashkuan për t’i kundërshtuar dy marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel nga delegacioni i Kosovës. Ishte marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi dhe marrëveshja me Serbinë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe (AKS).

Ishte protesta e 9 janarit ku opozita e bashkuar (AAK-NISMA-Vetëvendosje) do ta tregonin fuqinë e tyre karshi partive në pushtet.

Sheshi ‘Skënderbeu’ ishte përplot me protestues. Para tyre dolën liderët opozitarë me fjalorin e tyre politik, duke ripërsëritur qëndrimet e tyre se janë kundër këtyre marrëveshjeve.

Masa të mëdha policore e kishin rrethuar objektin e Qeverisë. Turma dukej e acaruar dhe në çdo çast mund të eskalonte situata.

Pas përfundimit të fjalimeve, turma nisi të hedhë gjësende të forta në drejtim të objektit të Qeverisë. Dhe për pak kohë u hodh edhe molotov ku një pjesë e vogël e objektit të Qeverisë, nga pjesa e jashtme, mori flakë.

Policia vlerësoi se duhet të ndërhyhet. Pasojat ishin të mëdha. Protestues e policë të lënduar, dëme të mëdha. Protesta dhe përleshjet u zhvendosën nëpër rrugët kryesore të qytetit. protestuesit vazhdonin të hidhnin gurë e gjësende tjera të forta në drejtim të policisë, kurse këta të fundit me gaz lotsjellës e top uji provonin t’i shpërndanin protestuesit.

Liderët nuk morën përgjegjësinë

Pas fjalimeve të tyre para protestuesve të cilët vetë i kishin ftuar përmes thirrjes publike për protestë, më pas nuk morën përgjegjësinë për eskalimin e protestës.

Ishte deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi që kishte dalë para protestuesve që hidhnin molotov e gurë në drejtim të objektit të Qeverisë, duke u kërkuar që të mos e bëjnë një gjë të tillë. Por kjo nuk kreu punë.

Liderët më pas thanë se ‘rebelët’ e protestës nuk ishin aktivistë të tyre.

‘Rebelët’ e protestës mbanin në kokë kapela, shalle në gojë e hundë, dhe identifikimi i tyre ishte shumë i vështirë.

Protesta e opozitës së bashkuar u përdor si pretekst që ky bllok të ndahet. Nuk shkoi shumë gjatë dhe AAK e Nisma u distancuan nga veprimet e protestës duke njoftuar se ata më nuk janë bashkë me Vetëvendosjen.

Megjithatë, partitë opozitare vazhduar së bashku rrugën e kundërshtimin, tashmë brenda Kuvendit.

Gazi lotsjellës u bë pothuajse diçka e zakonshme në çdo seancë ku qeveria tentonte t’i kalonte këto dy marrëveshje.

Këtë metodë të re të kundërshtimit brenda institucionit e nisi deputeti i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Por kjo u pasua edhe nga deputetët tjerë të opozitës, siç ishin ata të partisë së kryeministrit Ramush Haradinaj, AAK.

Mosratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi bëri që “Qeveria Mustafa” të rrëzohej me shumicë votash, e ndihmuar edhe nga partneri i koalicionit, PDK.

Kauza opozitare për pushtet

Pas zgjedhjeve të përgjithshme të 11 qershorit, PDK-AAK-Nisma dolën fituese. Me vështirësi të mëdha e formuan Qeverinë.

Punën e parë që Ramush Haradinaj e bëri në cilësinë e kryeministrit ishte shkarkimi i Komisionit qeveritar, në krye me Murat Mehën, që kishte punuar në Marrëveshjen për Demarkacionin.

Emëroi Komision të ri, i cili e dha versionin e vet se Kosova humb territor me marrëveshjen e nënshkruan me Malin e Zi.

Ky ishte edhe hapi i parë i kryeministrit për ta realizuar kauzën e tij mbi bazën e të cilës kishte ardhur në pushtet.

Por kjo u pa edhe si një fillim i zbutjes së tij. Kryeministri Haradinaj kishte një problem të theksuar brenda Qeverisë. Partneri i saj, PDK, ishte pro ratifikimit të marrëveshjes aktuale, të cilën e kundërshtonte Haradinaj.

Procesi u bllokua – asnjëra palë nuk lëshonte pe. Por, kryeministrit Haradinaj i mjaftoi një aneks-marrëveshje mes presidenteve të të dyja vendeve që ai të ndryshojnë qëndrim.

Asgjë më shumë sesa një zotim i të dyja palëve që nëse ka gabime në demarkimin e vijës kufitare, ajo të përmirësohet.

Haradinaj, nga një kundërshtues, në lobues për Demarkacionin

Tash pozicioni i Haradinajt ndryshon – nga një kundërshtues i madh i Demarkacionit, kthehet në lobues për votimin e tij.

Me arritjen e aneks-marrëveshjes mes presidentëve, Haradinaj tha se tash situata ka ndryshuar dhe Demarkacioni duhet të votohet.

Në njërën prej mbledhjeve të Qeverisë, Haradinaj mori miratimin e kabinetit dhe e dërgoi në Kuvend projektligjin për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi.

Por tash i doli telashe me opozitën – LDK nuk po ia votonte si të tillë, për shkak se kërkonte që raporti i Komisionit të ri të mos jetë pjesë e marrëveshjes, por vetëm si dokument informues.

Këtë nuk e pranonte kryeministri Haradinaj. Tha se sa të jetë ai kryeministër nuk do ta lejojë një gjë të tillë.

LDK nuk lëshonte pe – dhe një ditë më vonë kryeministri hoqi dorë nga ajo që kërkonte dhe ia plotësoi kërkesën e LDK-së.

U mbajtën dy seanca dhe nuk u arrit që të hedhet në votim marrëveshja për Demarkacionin. Nuk i kishin votat e mjaftueshme.

U raportuar se partitë në pushtet së bashku me LDK-në kanë arritur konsensus për votimin e marrëveshjes. Iu bë thirrje edhe vetëvendosjes që ta bëjë një gjë të tillë. Kurse Lista Serbe e ka treguar qëndrimin e saj kundër votimit të kësaj marrëveshjeje.

Për më tepër, deputetët e Kuvendit do ta kenë para vetes për votim marrëveshjen e njëjtë të nënshkruar në vitin 2015 në Bruksel mes Kosovës dhe Malit të Zi. Marrëveshja nuk ka ndryshuar, por vetëm i është shtuar aneks-marrëveshja e fundit mes presidentëve të të dyja vendeve.

Pra, marrë për bazë gjithë këtë, kauza e AAK-së dhe e vetë Haradinajt sa ishte në opozitë, edhe në përfundim të një aneks-marrëveshjeje, e cila nuk dihet se sa mund të jetë obliguese për Malin e Zi, kur dihet se parlamenti i këtij shteti e ka ratifikuar marrëveshjen si të tillë pa aneks-marrëveshjen e fundit. /Insajderi