Search

Edi Rama po lufton për të vjedhur truallin dhe jo për të ndërtuar Teatrin

Arsyeja e përdorur nga Qeveria për të arsyetuar ndërtimin e një godine të re të Teatrit Kombëtar përmes shkëmbimit të truallit me një kompani private është mungesa e fondeve për të investuar vetë. Është e njëjta arsye me të cilën qeveria Rama ka justifikuar thuajse çdo koncesion që ka dhënë këto pesë vjet, shumica prej të cilëve u ka garantuar fitime të majme firmave private, një pjesë firma fantazmë pa asnjë përvojë të mëparshme.

Por ky argument i sjellë nga Qeveria si arsyetim fatkeq dhe i veçantë është, në fakt, vetë realiteti i qeverisjes, një nga arsyet pse ekziston qeveria: asnjë vend nuk ka fonde të mjaftueshme publike për të realizuar të gjitha politikat që do të donte të realizonte dhe të kënaqte të gjitha nevojat e popullsisë, prandaj ekziston qeverisja që të vendosë për këto çështje. Qeverisja në radhë të parë është vendosje prioritetesh, cilat nevoja do të kënaqë së pari dhe cilat do të lërë për më vonë me fondet e kufizuara që ka.

Prandaj sa herë që një qeveri deklaron se nuk ka fonde për një projekt, program apo politikë të caktuar, në fakt ajo është duke thënë se ai projekt, ai program apo ajo politikë nuk është prioritet aq i madh sa të marrë përparësi për t’u financuar me fondet ekzistuese buxhetore.

Prandaj, kur këto ditë qeveria flet e flet për prioritetin e madh që ka për të Teatrin Kombëtar, për domosdoshmërinë e godinës së re dhe mungesën e fondeve që e ka shtyrë atë të gjejë zgjidhje përmes privatit, në fakt ajo është duke thënë se teatri nuk është prioritet parësor i saj prandaj për të nuk ka caktuar fonde buxhetore.

Në fakt, gjasat janë që motivimi i qeverisë për zgjedhjen që ka bërë të mos jetë as kultura dhe as interesi publik por interesi privat, por për hir të analizimit të argumentit të qeverisë le të vazhdojmë diskutimin.

Po cilat kanë qenë disa nga prioritetet e qeverisë që kanë zhvendosur më poshtë godinën e re të Teatrit? Le të përmendim disa nga më të bujshmit.

Vitin e fundit, Qeveria ka financuar nga Buxheti i Shtetit rreth 5 milionë euro ndërtimin e dy parkingje nëntokësore, një nën Sheshin Skënderbej dhe një nën Sheshin Italia. Parkingjet janë investime tipike që bëhen më partneritet privat, pasi shfrytëzimi i tyre sjell të ardhura për të larë investimin, prandaj zgjedhja që parkingjet të bëhen me para buxhetore, kurse Teatri me para private është absurde nga pikëpamja e mirëqeverisjes.

Një rast i ngjashëm është ai i pajisjeve për djegien e mbeturinave. Në dy vitet e fundit, Qeveria ka vendosur të ndërtojë, me para buxhetore, tre pajisje, me vlera totale investimi mbi 180 milionë euro, vetëm ai i Tiranës do t’i kushtojë buxhetit rreth 120 milionë euro. Pajisjet janë gjithashtu investime tipike që realizohen me partneritet me privatin, përmes investimit të privatit, por Qeveria ka zgjedhur që të krijojë një partneritet falls publiko-privat pasi i gjithë investimi do të bëhet nga para buxhetore.

Akoma më absurd është fakti se në kontratën e bërë në rastin e incineratorit të Fierit, firma private paguhet nga buxheti edhe pa ndërtuar, nëse vonesa vjen nga pengesa që varen nga Qeveria. Dhe kështu ka ndodhur, Qeveria nuk ka shpronësuar në kohë tokat ku do ndërtohet incineratori i Fierit. Më pas i ka paguar firmës private vetëm vitin e shkuar, rreth 4.2 milionë euro pa bërë asgjë dhe po aq do i paguajë edhe këtë vit.

Dhe meqë jemi tek asgjëja, në kontratën për një shërbim të panevojshëm dhe pa asnjë dobi publike si ai i kontrollit të përgjithshëm mjekësor të popullsisë, i cili tashmë ka humbur jo vetëm çdo vlerë, por edhe çdo kuptim, qeveria i ka paguar dy vitet e fundit firmës koncesionare rreth 4 milionë euro për kontrolle të pabëra.

Një rast tjetër që dëshmon prioritetet e Qeverisë është ai i ndërtimit të muzeve që përkujtojnë të shkuarën komuniste. Qeveria ka ndërtuar tre të tillë, Bunk’Art 1 dhe 2 dhe Shtëpinë e Gjetheve, me vlerë totale të paguar nga Buxheti i Shtetit rreth 5 milionë euro. Pasi i ka ndërtuar me para buxhetore, shfrytëzimin e tyre ia ka dhënë me koncesion një firme private.

Vetë, Sheshi Skënderbej ka kushtuar rreth 15-20 milionë euro, kostot përfundimtare janë të paqarta për shkak të mungesës totale te transparencës dhe për nga rëndësia krahasuar me teatrin kombëtar duhet të ishte shumë më poshtë.

Në fakt i gjithë projekti i ashtuquajtur i ‘rilindjes urbane’ ka kushtuar më shumë se 700 milionë euro investime buxhetore, gjatë katër muajve të fundit, të gjitha për përmirësim fasadash, rindërtime godinash, rindërtime sheshesh e mobilime zyrash.

Ky ka qenë prioriteti i Qeverisë. Rindërtimet e shesheve dhe godinave, në vend të arsimit, shëndetësisë dhe infrastrukturës rrugore. Këto të fundit, Qeveria i ka patur prioritet dytësor duke ja lënë formave të bashkëpunimit me sektorin privat, madje në shumicën e rasteve duke ndërtuar me ta partneritet falls që i shërbejnë së pari dhe kryesisht interesit privat me financim të plotë që në fillim nga buxheti.

Por edhe në këtë buxhet të jashtëzakonshëm, të ‘rilindjes urbane’ për investime që nuk sjellin vlerë të shtuar, nuk është caktuar asnjë qindarkë për dy nga institucionet kryesore kulturore të vendit: Bibliotekën Kombëtare dhe Teatrin Kombëtar.

Vetëm ky fakt mjafton për të diskredituar gjithë retorikën qeveritare mbi rëndësinë që ajo i jep teatrit të kombit.

Por përtej shpërfilljes totale ndaj teatrit edhe pasi më në fund qeveria ka vendosur të investojë për të përmes partneritetit me privatin, mënyra që ajo ka zgjedhur është tërësisht problematike, është jo vetëm antikushtetuese, e paligjshme dhe përtej çdo praktike normale, por nuk është as më efikasja.

Arsyetimi është i thjeshtë: përderisa një firmë private po merr përsipër të ndërtojë një godinë të re për teatrin në shkëmbim të tokës publike falas, kjo do të thotë se vlera e tokës publike që ajo do përfitojë është të paktën sa kostoja e ndërtimit të godinës së Teatrit, në mos më shumë.

Ky fakt dëshmon se ka një mënyrë efikase për financimin e godinës së Teatrit: Qeveria mund të shesë në ankand tokën publike, gjë që do t’i sigurojë vlerën maksimale të shitjes dhe me fondet e siguruara mund të ndërtojë një godinë të re teatri.

Madje nuk është i detyruar ta ndërtojë në të njejtin vend, por mund ta ruajë godinën ekzistuese për qëllime të tjera dhe ta ndërtojë godinën e re në zonën e bulevardit të ri ku e kishte planifikuar.

Kjo qasje, madje mundëson, edhe një konkurim për projektin e godinës së re.

Kështu garantohet zbatimi i kuadrit ligjor aktual, garantohet konkurrenca që maksimizon si vlerën që përfiton publiku, ashtu edhe cilësinë.

Por nëse Qeveria është e fiksuar se do të përdorë metodën e shkëmbimit të truallit, përsëri qasja më efikase dhe më mirë do të ishte që Qeveria të bënte një projekt të godinës së Teatrit të ri, qoftë edhe në vendin ekzistues dhe të hapte garën për investitorë privatë, të cilët mund të sillnin formula më interesante financimi se ajo e kompanisë ‘Fusha shpk’, që ka për kusht faljen e tokës publike në qendër të Tiranës dhe zhvillimin betonizues të asaj zone.

Sa për hamendësim, mund të kishte kompani që mund ta merrnin përsipër ndërtimin e Teatrit përkundrejt kërkesës për kompensim me tokë diku tjetër, të themi në bregdet, madje për të investuar në objekte me më shumë ndikim në ekonomi se sa kullat për zyra dhe dyqane në mes të Tiranës.

Justifikimi se ‘Fusha shpk’ ka një copë tokë pranë tokës ekzistuse të Teatrit, ndaj ai vetëm mund ta zhvillojë zonën dhe ndërtojë Teatrin, është mediokër ose i qëllimshëm.

Në një ekonomi tregu, nëse ka interes, çdo pasuri shkon tek ai që e vlerëson më shumë, pra dikush tjetër mund t’ia blejë kompanisë atë pak tokë që ka aty pranë.

Një tjetër zgjidhje është që në rast të një oferte më të mirë dhe të një propozimi me interes më të madh publik, Qeveria ka të gjithë mundësinë ligjore që ta shpronësojë. Nga pikëpamja ligjore dhe e leverdisë ekonomike dhe interesit publik, fakti që ‘Fusha shpk’ ka zyrat pranë as e ndikon dhe as e pengon ndërtimin e godinës së teatrit nga dikush tjetër.

Por ky është hamendësime naiv, përballë realiteti të qartë: ‘Fusha shpk’ i ka blerë ‘zyrat’ aty pranë, vetëm pasi ka rënë dakord me Edi Ramën për zhvillimin e zonës. Si pjesë e kësaj marrëveshjeje, ka qenë edhe garancia nga Edi Rama që nuk do ketë asnjë lloj konkurimi dhe asnjë lloj transparence në legjitimimin e marrëveshjes private si politik publike.

Në fakt, interesi publik nuk ka si të jetë faktor në një marrëveshje private e bërë për qëllime private. /Exit.al/