Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Efektet e tarifës 100 për qind, importet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina bien dukshëm

Nga vendosja e tarifës doganore prej 100 për qind nga ana e Kosovës për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, ka pasur rënie të importit nga këto dy vende.

Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës për periudhën janar-korrik 2018 dhe 2019, del se importi i produkteve serbe ka rënë në mënyrë të dukshme. Ndërsa, vlera e eksporteve nga Kosova në drejtim të Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës nuk ka pësuar shumë, shkruan Telegrafi.

Dogana thotë se importet nga Serbia për periudhën shtatëmujore të vitit 2018 ishin 177.8 milionë euro, kurse eksportet kosovare arritën në 16.8 milionë euro.

“Në periudhën janar-korrik 2018, importet nga Serbia në drejtim të Kosovës ishin 177.81 milionë euro, kurse importet nga Bosnja e Hercegovina ishin 39.8 milionë euro. Për sa i përket eksporteve të produkteve vendore në drejtim të Serbisë për këtë kohë kanë arritur 16.8 milionë euro, ndërsa në drejtim të Bosnjës e Hercegovinë kjo vlerë ishte 4.6 milionë euro”, thuhet në raportin e Doganës për ndikimin e vendeve të CEFTA-së.

Për sa i përket importeve serbe dhe atyre boshnjake për periudhën janar-korrik 2019, që i bie menjëherë pas vendosjes së tarifës doganore 100 për qind, vlera e tyre ka rënë në mënyrë të dukshme.

Për periudhën janar-korrik 2019, importet nga Serbia në drejtim të Kosovës ishin 1.9 milion euro, ndërsa importet boshnjake ishin 1.7 milion euro. Krahasuar me periudhën e vitit paraprak, eksportet për në Serbi ishin 12.8 milionë euro, kurse produktet vendore që u eksportuan në Bosnje dhe Hercegovinë ishin 2.9 milionë euro”, thotë Dogana e Kosovës.

E, sipas Agjencisë së Statistikave gjatë muajit gusht të këtij viti eksportet kosovare janë rritur 4.7 për qind.

“Eksporti i mallrave në muajin gusht 2019 kishte vlerën 31.9 milionë euro, ndërsa importi 311.8 milionë euro, që është një rritje prej 4.7 për qind për eksport dhe një rritje prej 1.6 për qind për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2018”, thuhet në të dhënat e ASK-së për tregtinë e jashtme.

Në të njëjtin publikim thuhet se drejt vendeve të Bashkimit Evropian, eksportet e Kosovës kanë arritur në 9.1 milionë euro.

“Eksportet e Kosovës në vendet e Bashkimit Evropian arritën në 9.1 milionë euro ose rreth 28.6 për qind e eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej 13.3 për qind. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë Gjermania me 7.7 për qind, Britania e Madhe me 3.6 për qind, Holanda me 3.4 për qind, etj. Në këtë muaj, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-së arritën në 13.8 milionë euro ose 43.3 për qind të eksporteve të përgjithshme, me një rënie prej për qind 10.4 për qind. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së janë Shqipëria me 18.5 për qind, Maqedonia me 9.9 për qind, Serbia me 8.5 për qind dhe Mali i Zi me 4.5 për qind. Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 8.9 milionë euro ose 28.1 për qind. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden India me 15.4 për qind dhe Zvicra me 8.2 për qind”, vijon raporti.

Kujtojmë se më 6 nëntor të vitit të kaluar, ish-kryeministri Ramush Haradinaj vendosi tarifën prej 10 për qind për produktet e importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovinë, ndërsa më 21 nëntor këtë tarifë e rriti në 100 për qind.