Search

Ekonomia evropiane po merr goditje nga të gjitha anët

Në vitin 2017, rritja ekonomike e Evropës arriti pikën më të mirë për dhjetëvjeçarët e fundit. Gjasat janë që kjo situatë të mos përsëritet më, të paktën jo së shpejti.

Rritja ekonomike pritet të tkurret në mënyrë dramatike këtë vit, teksa Evropa vazhdon të përballet me kufizimet e reja në tregti, me pasiguritë e BREXIT-it dhe me përplasje politike që ulin besimin ndaj euros, duke i vënë bankat nën stres.

“Moria e rreziqeve me origjinë nga vendet e tjera, të cilat sa vijnë e zmadhohen, i kanë rritur shqetësimet”, thotë Florian Hense, ekonomist në Berenberg Bank.

Banka Qendrore Evropiane parashikon se rritja ekonomike në Eurozonë do të ulet në nivelin 2 për qind, nga 2.5 për qind që ishte në vitin 2017. Evropa, e cila ka pasur rritje ekonomike më të lartë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë vitit të shkuar, ka nisur të bjerë sërish.

Biznesi ka nisur t’i ndiejë pasojat që tani

Një studim i botuar këtë të mërkurë nga IHS Markit tregon se ekonomia e Eurozonës është rritur me ritëm të ngadaltë në dy vitet e fundit, gjatë tetorit. Konfliktet tregtare në skenën botërore, sipas studimin, po e ulin kërkesën për eksportet evropiane.

Parashikimet për të ardhmen më të largët janë edhe më ogurzeza, pasi bien në nivelin më të ulët të katër viteve të fundit.

“Mjafton pak pasiguri nëpër botë, dhe menjëherë shtyhen vendimet për investime”, tha Stephen Brown, ekonomist në Capital Economics.

Banka Qendrore Evropiane tha se të dhënat nuk janë ulur në atë pikë sa të ndryshojnë planet e t’i japin fund programit të ndihmës. Banka ka shtuar 2.7 trilionë euro në ekonomi, që nga viti 2015, duke blerë bono qeveritare.

“Po përjetojmë një çast të dobët, por nuk mjafton sa për të ndryshuar skenarin bazë. Është thjesht një çast i dobët, jo pikiatë”, tha Mario Dragi, presidenti i Bankës Qendrore Evropiane.

Midis zjarrit të konfliktit tregtar

Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë goditur Bashkimin Evropian me tarifa të reja mbi çelikun dhe aluminin. Kompanitë evropiane janë prekur edhe nga konflikti midis Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

“Shumë firma do të shesin pjesët që i përdornin si inpute prodhimi, ose do të shesin mallra të investimeve të përgjithshme, që tensionet të kenë ndikim sa më të drejtpërdrejtë”, thotë Brown.

Problemi më i madh është Gjermani, një eksportuese e fuqishme që ka parë një rënie të theksuar të veprimtarisë.

Dhoma gjermane e Industrisë dhe Tregtisë e ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike në 1.8 për qind për vitin 2018 nga 2.7 për qind që e kishin më parë.

Studimi i IHS Markit tregoi se porositë e mallrave nga jashtë kanë rënë, gjë që ka dobësuar industrinë e makinave gjermane.

Industria e makinave në Gjermani pëson rënie

Prodhuesit gjermanë janë goditur rëndë nga tensionet e tregtisë botërore, të cilat vijnë menjëherë pas skandaleve me naftën dhe vonesave të krijuara nga sistemi i ri i certifikimit të automjeteve në Evropë.

BMW botoi një paralajmërim për rënie fitimesh në shtator, duke fajësuar konfliktet e vazhdueshme tregtare. Mercedes Benz raportoi rënie të thellë të fitimeve në tremujorin e tretë.

Po afrohet BREXIT

Britania e Madhe do të largohet nga Bashkimi Evropian në muajin mars të vitit 2019, por kompanitë në Evropë dhe në union janë ende të paqarta për atë që do të thotë kjo në lidhje me aftësinë e tyre për të bërë biznes përtej kufirit të ri.

Po shtohet frika se Britania e Madhe mund të ndahet me një marrëveshje të paqartë, aq sa kompanitë dhe investuesit të jenë po aq të pasigurt për të ardhmen sa që ishin në qershor të vitit 2016, kur votuesit mbështetën BREXIT-in.

Një ‘BREXIT i verbër’ mund të jetë edhe më keq për disa kompani, sesa skenari që përfshin ndarjen e Britanisë së Madhe pa një marrëveshje për të vepruar në tregjet e Evropës.

BMW do të mbyllë fabrikën e Mini në Angli për një muaj mirëmbajtjeje menjëherë pas BREXIT-it, sepse nuk do të ketë siguri për marrjen e pjesëve. Jaguar ka shprehur pasiguri duke mbajtur një mijë punëtorë vetëm për tre ditë të javës në punë, deri për Krishtlindje.

Kompanitë ajrore mund të kenë probleme gjithashtu, ndërkohë që dyqanet e shitjeve me pakicë janë këshilluar të shtojnë rezervat e ushqimeve dhe të ilaçeve.

Telashe në Itali

Edhe politika në Evropë po kërcënon stabilitetin ekonomik. Komisioni Evropian refuzoi buxhetin e Italisë këtë javë, një buxhet që kërkonte rritje të lartë të shpenzimeve, gjë që bie ndesh me rregullat e Bashkimit Evropian. Italia duhet të ndryshojë buxhetin ose të përballet me gjoba.

Investuesit janë të shqetësuar se konflikti midis Romës dhe Brukselit mund të përshkallëzohet e ta fusë sektorin e brishtë bankar të Italisë nën presione edhe më të mëdha. Kjo do ta ndikonte shumë ekonominë e Italisë që ka rritje të ngadaltë që tani.

“Italia është ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë, ndaj fati i tyre financiar është me rëndësi për të gjithë unionin”, tha Kathleen Brooks, drejtoreshë kërkimesh në Capital Index.