Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Ekonomia zvicerane në vështirësi

Rritja e tensioneve tregtare me Kinën nga Donald Trump është vetëm një pjesë e një kombinimi të trefishtë faktorësh që po godasin Zvicrën dhe eksportuesit e saj. Kërkesa e dobët botërore, franga në rritje dhe rënia në Gjermani janë bërë bashkë si një re e zezë mbi ekonominë zvicerane. Prodhimtaria po humbet vrullin dhe rritja ekonomike këtë vit mund të ngadalësohet në rreth gjysmën e ritmit të vitit 2018.

Viktima e fundit ishte Schaffner, një prodhues pajisjesh elektrike që paralajmëroi të hënën se shitjet do të binin gjysmën e dytë të vitit. Pasojat po ndjehen gjithashtu në kompani të tilla si prodhuesi i kondicionimit Belimo Holding AG, OC Oerlikon Corp AG, dhe prodhuesi i çelikut Schmolz + Bickenbach AG, kompani të cilat e vendosin theksin e trendit negativ tek mosmarrëveshjet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

“Shqetësimi lidhet me gjithçka që ka të bëjë me tregtinë botërore, sidomos marrëdhëniet e Trump me Kinën. Gjithashtu ne do të ndiejmë edhe pasojat e rënies së industrinë gjermane të makinave”, tha Jan-Egbert Sturm, drejtor i Institutit Ekonomik Zviceran KOF në Cyrih.

Nga ana tjetër, ecuria e monedhës vendase, frangës, nuk duket se ofron shumë siguri. Për prodhuesit zviceranë një situatë e tillë nuk është e panjohur, pasi edhe më herët ata e kishin provuar diçka të ngjashme në 2015 kur banka qendrore ndryshoi politikën monetare. Por duket se kushtet e tanishme janë krejt ndryshe nga ajo kohë!

Valuta arriti vlerën më të fortë në dy vjet këtë muaj, duke goditur konkurrencën e eksportit dhe duke detyruar bankën qendrore të vendit të ndërhynte për të kontrolluar përparimin e saj. Vlerësimi pasqyron pjesërisht kërkesën e investitorëve për asete të sigurta në një perspektivë të zymtë botërore.

Gjithashtu, Gjermania tregu më i madh i Zvicrës, ka pësuar së fundi një tjetër ngadalësim ekonomik dhe kompanitë e mëdha si Daimler AG, BASF SE dhe Henkel AG kanë ulur parashikimet e tyre. Kjo mund të nënkuptojë shitje më të ulët të makinerive me preciziteti të lartë dhe pjesëve të bëra në Zvicër. Kina me të cilën Zvicra ka një marrëveshje të tregtisë së lirë, kërcënohet gjithashtu nga një ngadalësim ekonomik.

Rritja në prodhimin industrial zviceran është nxitur këtë vit pothuajse vetëm nga farmaceutika, e cila është më imune ndaj rënies botërore. Prodhimi i makinerive dhe metaleve ka rënë për dy tremujorë radhazi dhe një studim i shoqatës Swissmekanic tregon se kërkesa për investime gjithashtu ka rënë duke bërë që marzhat e fitimit të zvogëlohen.

Deri më tani situata ka pasur pak ndikim në tregun e vendeve të punës, me papunësinë ende më e ulëta në gati dy dekada. Por rreziku akoma nuk ka kaluar. Sfida tjetër e Zvicrës është stimuli monetar i Bankës Qendrore Evropiane, i cili do të ndikojë monedhën. Nëse, siç pritet, Banka Evropiane ul normat e interesit në shtator, investitorët vendosin bast që Banka Qendrore e Zvicrës do të ndjekë po të njëjtën linjë dhe normat në vend pritet të arrijnë nivelin rekord më të ulët prej minus 0.75 për qind.

“Konsumi duket i fortë, por industria dhe tregtia e jashtme do të dobësohen. Ngadalësimi botëror edhe pse me vonesë, do të ketë një efekt”, tha David Marmet, ekonomist në Zuercher Kantonalbank. /Gazeta Ekonomia/