Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Ekonomisë gjermane po i merret fryma

Konfliktet tregtare ndërkombëtare dhe rënia e koniunkturës botërore e kanë frenuar ekonominë gjermane, që suksesin e saj e bazon tek eksporti. Prodhimi i Brendshëm Bruto u ul me 0.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti, krahasuar me një vit më parë, bëri të ditur Zyra Federale e Statistikave.

Frenimi vjen nga zhvillimet në tregtinë e jashtme. Eksportet e mallrave dhe shërbimeve janë ulur shumë më tepër se importet. Shpenzimet private të konsumit nga ana tjetër janë rritur, firmat investojnë më shumë.

Me gjithë një rënie të lehtë ekonomike të ekonomisë më të fuqishme të Bashkim Evropian, Gjermanisë, Eurozona ka shënuar rritje ekonomike. Prodhimi i Brendshëm Bruto aty u rrit me 0.2 për qind, bëri të ditur Zyra Evropiane e Statistikave. Si krahasim, ekonomia më e madhe botërore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shënoi në pranverë një rritje 0.5 për qind.

Nga vendet kryesore të Eurozonës, vetëm Gjermania ka pasur tregues më të dobët.

“Shembullori tani po bëhet një fëmijë problematik”, është shprehur kryeekonomisti i bankës Lampe, Alesander Krüger.

Franca si numri dy i Eurozonës ka pasur një rritje 0.2 për qind, ndërkohë që Italia ka mbetur e pandryshuar. Spanja dhe Holanda kanë shënuar një rritje prej 0.5 për qind.

Ekonomisë më të madhe evropiane i jep hov dëshira për konsum. Për shkak të gjendjes së mirë në tregun e punës, njerëzit duan të blejnë. Kësaj i shtohet që depozitimi i parave në bankë nuk ia vlen pasi përqindjet janë shumë të ulëta. Por sipas ekspertit të Institutit të Marketingut GfK, Rolf Bürkl edhe konsumatorët po japin shenja pasigurie. Njoftimet për shkurtim personeli, apo kufizimin e punës kanë bërë të rritet frika nga humbja e vendit të punës.

Industrinë gjermane e rëndojnë krahas rënies së koniunkturës botërore dhe konfliktit tregtar SHBA-Kinë edhe pasiguria lidhur me BREXIT. Kësaj i shtohet edhe ndryshimi strukturor drejt elektromobilitetit në industrinë e automjeteve.

Mario Ohoven, presidenti i Shoqatës Federale të Biznesit të Mesëm i ka kundërshtuar njoftimet, se rënia e ekonomisë gjermane mund të lidhet vetëm me faktorët e jashtëm. Përkundrazi, “rënia e fortë e koniunkturës është krijuar nga brenda. Arsyeja kryesore për recesionin kërcënues qëndron tek prioritetet e gabuara të qeverisë federale”.

Ohoven kërkoi nga qeveria impulse investimesh me reduktimin e kontributit për papunësisë, një kuotë të patatimueshme në llogaritjen e kontributeve sociale, por edhe heqjen e tatimit të solidaritetit.

Edhe të dhënat për tremujorin e tretë nuk duken optimiste. Sebastian Dullien, drejtori i Institutit të Makroekonomisë i fondacionit Hans-Böckler tha se “ekonomia gjermane ndodhet në zgrip”.

“IMK dhe institute të tjera prisnin një rehabilitim të shpejtë të ekonomisë, por kjo nuk ndodhi”, thotë Dullien.

Shifrat aktuale ekonomike i komentoi edhe drejtori i Dhomës Gjermane të Industrisë e Tregtisë, Martin Vansleben.

“Aktualisht nuk duket ndonjë shenjë kthese. Në sondazhin e DIHK bizneset raportojnë për perspektiva të zymta. Pritshmëritë kanë rënë në të gjithë sektorët. Edhe ato për tregtinë e jashtme janë më të ultat që prej 10 vjetësh. Nëse nuk ndërmarrim tani veprime, ekonomia gjermane do të futet në darë me rënien e koniunkturës”, thotë Vansleben.

Kancelarja Angela Merkel ende nuk sheh nevojën e një pakete koniunkturore. Vërtet që ekonomia po futet në “një periudhë të vështirë”, tha ajo në Rostock, por Merkel paralajmëroi nga toni negativ.

“Ne do të reagojmë sipas situatës”, kishte thënë Merkel.

Për të gjithë vitin, qeveria federale pret një rritje ekonomike prej 0.5 për qind. Vitin e kaluar rritja ekonomike kapi shifrën e 1.4 për qind. /Deutsche Welle/