Search

Elon Musk e ka gabim për produktivitetin e orëve të punës

Vetëm 24 orë pas e pranoi që ai do të punonte 24 orë në shtatë ditë të javës për ta bërë kompaninë Tesla më fitimprurëse, Elon Musk shkroi se “ka shumë mënyra për të bërë punë të lehta, por askush nuk ka ndryshuar botën me vetëm 40 orë në javë punë”.

Motivi pas kësaj është shumë i qartë. Është në interesin e Muskit që punëtorët e tij të besojnë se puna jashtë orarit e papaguar është e pashmangshme dhe e domosdoshme.

Megjithatë, deklarata e tij është qesharake si shkencërisht ashtu dhe matematikisht.

Orët e gjata të punës ndryshojnë botën duke zvogëluar numrin e popullsisë, asgjë më shumë. Ajo që ka rëndësi këtu është se njerëzit që punojnë 40 orë në javë realizojnë më shumë punë, mesatarisht, se ata që punojnë 60 orë në javë. Ndoshta më shumë.

Por le të supozojmë, për hir të argumentit, se premisa e Muskut është e saktë dhe orari i stërzgjatur i punës rrit produktivitetin e punonjësve. Edhe atëherë, argumenti se “askush nuk e ka ndryshuar botën me 40 orë në javë punë” është matematikisht absurd, shkruan revista Inc, përcjell Telegrafi.

Nëse një personi i duhen 60 orë në javë punë për të ndryshuar botën, kaq do t’i duheshin dy personave 30 orë në javë punë. Ose një person mund të punojë 30 orë në javë dhe në këtë rast do të duhej dy herë më shumë kohë për të ndryshuar botën.

Dikush mund të argumentojë, natyrisht, se në biznes çdo kompani po garon kundër konkurrencës për të qenë i pari në treg. Në këtë rast, duke pasur parasysh mungesën e programuesve dhe inxhinierëve të trajnuar, do të ishte e pamundur të ishit të parët në treg nëse nuk do të kishit staf të kualifikuar.

Ndoshta kjo mund të duket absurde, por historia tregon se të qenit i pari në treg nuk ka rezultuar gjithmonë mënyra më e mirë. Kush përdor Visicalc apo WordPerfect sot? Apo kërkon në ueb me Altavista? Ose drejton makinën e parë elektrike, e cila meqë ra fjala, u debutua në vitin 1832.

Pjesa më e madhe e risive në shekullin e XX-të, si kompjuteri dixhital, fotokopja, ndërfaqja grafike e përdoruesit, janë kryer brenda kompanive ku 40 orë në javë punë, ishte pak a shumë norma.

Së fundi dhe më e rëndësishmja, Musk vetë bie pre e komentit të tij se ju nuk mund ta ndryshoni botën në më pak se 40 orë në javë punë, pasi SpaceX dhe Boring janë kompanitë që po ndryshojnë botën dhe Musk nuk mund të shpenzojë 40 orë në secilën prej tyre, sigurisht jo gjatë drejtimit të Tesla.

Nuk ka dyshim se Eloni Musk është një gjeni i inxhinierisë dhe menaxhimit, por në këtë rast, ai ose është egoist ose thjeshtë flet për t’u dukur.