Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

A është përballja ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës, e dyta Luftë e Ftohtë në histori?

“Dy ekonomitë më të mëdha në botë janë tashmë në fazat e hershme të një Lufte të Dytë të Ftohtë”, kështu mendon Niall Ferguson, anëtar i Institutit Hoover në Universitetin Stanford.

Duke folur me Steve Sedgwick të CNBC në Forumin Ambrosetti në Itali, Ferguson tha se presidenti Donald Trump tani është në një pozitë ku nuk do të mundej më të tejkalonte dëmtimin e thellë në marrëdhëniet e Shteteve të Bashkuara të Amerikëas me Kinën, duke depërshkallëzuar mosmarrëveshjen e zgjatura tregtare.

Sipas Fergusonit, kjo është për shkak se konflikti i gjatë tregtar midis Washingtonit dhe Pekinit nuk ka të bëjë vetëm me tregtinë, përkundrazi, mosmarrëveshja tashmë ka prekur shumë aspekte, qofshin ato edhe në lidhje me çështje teknologjike dhe gjeopolitike.

“Lajmi i mirë është që nuk mendoj se ata janë të destinuar për një luftë të ashpër mbi Detin e Kinës së Jugut ose konflikte të tjera territoriale, por mendoj se janë tashmë në fillimet e një Lufte të Ftohtë. Presidenti Trump nuk ka më fuqi ta shuajë këtë edhe duke bërë një marrëveshje tregtare, gjë që mendoj se ai vërtet e synon në një moment kritik për të si president, në pragun e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm”, tha Ferguson.

Pra Trump nuk është ‘më në pozitë’ për të fikur luftën tregtare, që po me dorën e tij e ndezi! Washingtoni dhe Kina kanë vendosur tarifa për mallrat e njëri-tjetrit, sanksione që arrijnë vlera miliarda dollarësh, duke goditur tregjet financiare dhe duke rrëzuar besimin e bizneseve dhe të konsumatorëve.

“Problemi për Trump është se, pasi e filloi këtë Luftë të Ftohtë me shkëndijën e një lufte tregtare, ai nuk është më në gjendje thjesht ta fikë kur i përshtatet, sepse gjëja është përshkallëzuar në fusha të tjera. Unë mendoj se ai ka shumë më pak kontroll kur bëhet fjalë për çështje teknologjike”, tha ai.

Palët ranë dakord të zhvillojnë bisedime të nivelit të lartë në Washington në fillim të muajit tetor. Kjo ka rritur shpresat se dy gjigantët ekonomikë së shpejti mund të jenë në gjendje të bëjnë një përparim thelbësor në de-përshkallëzimin e luftës së tyre tregtare.

Mohamed El-Erian, ekonomist i mirënjohur në Allianz, i cili dikur drejtonte gjigantin e investimeve Pimco, është shprehur për CNBC, se pavarësisht lajmeve për rifillimin e bisedimeve, investitorët nuk janë optimistë për bisedimet e ardhshme tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.

El-Erian tha se ai bie plotësisht dakord me komentet e Ferguson në lidhje me mosmarrëveshjen e vazhdueshme tregtare duke shtuar se, “këto janë ndarje të thella që nuk do të zgjidhen shpejt, por tregu është i gatshëm të përqafojë çdo lajm të mirë dhe të marshojë më lart”. /Gazeta Ekonomia/