Search

Evropa e papërgatitur dhe çmenduritë e Donald Trump

Ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright, e quante Amerikën ‘kombi i domosdoshëm’.

Me Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë, evropianët janë kujtuar shpeshherë se sa i vërtetë është ky epitet. Mjerisht, ata kanë bërë shumë pak gjatë viteve të fundit, për t’u përgatitur për një botë, në të cilën Amerika nuk është në gjendje apo nuk dëshiron të luajë rolin e saj.

Kur një diktator gjenocidal përdori armë kimike kundër popullit të tij më 2013-në, Evropa u mbështet tek Shtetet e Bashkuara të Amerikës për marrjen e masave dhe pastaj nuk bëri asgjë kur presidenti amerikan Barak Obama nuk u ndie.

Sot Bashkimi Evropian është duke pritur sërish një president tjetër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për të vendosur nëse ai dëshiron të angazhojë kontinentin në një luftë tregtare.

Dhe pak gjë mund të bënin diplomatët e Evropës të martën, kur presidenti amerikan njoftoi se do të vendosë sanksione ndaj Iranit, dhe se do të largohet nga marrëveshja bërthamore, e parë nga Brukseli si një nga arritjet e tij të pakta të politikës së jashtme.

Mbështetja e Bashkimit Evropian ndaj Uashingtonit është veçanërisht e dukshme në krahun e saj lindor. Nëse një administratë amerikane i ikën garancive të zgjeruara të sigurisë që ofron ndaj aleatëve të saj të NATO-së, shtetësia e një duzine vendesh të vogla mund të jetë në rrezik.

E çfarë po bëjnë evropianët për të kapërcyer varësinë e tyre nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Fatkeqësisht, jo ndonjë gjë të madhe. Politika e jashtme dhe e sigurisë e Bashkimi Evropian, bazohet në emëruesin më të ulët të përbashkët. Drejtueses së diplomacisë së unionit, Federica Mogherini, i mungon mandati politik, por dhe fuqia personale që kërkon roli i saj.

Sipas një shakaje që qarkullon në Bruksel, Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm, është një emërtim i gabuar – ai mund të jetë evropian por nuk është as i jashtëm, as nuk përfshin ndonjë veprim apo shërbim.

Nuk ka të ngjarë që Gjermania t’i sigurojë Bashkimit Evropian, nxitjen që i duhet për t’u bërë një lojtare e vërtetë botërore. Angazhimi i bllokut me Turqinë, është reduktuar në përpjekjet për t’i dhënë ryshfet regjimit, për të mbajtur jashtë dyerve të Bashkimit Evropian, azilkërkuesit e ardhshëm nga Lindja e Mesme.

Konsensusi mbi sanksionet kundër Rusisë është i brishtë, me zyrtarët e Bashkimit Evropian që kryejnë vizita të rregullta në Moskë, dhe interesat e korporatave të mëdha që bëjnë thirrje për një kthim tek biznesi si zakonisht.

Ka pasur disa përparime në fushën e mbrojtjes. Krijimi i Bashkëpunimit të Përhershëm të Strukturuar në fushën e Mbrojtjes dhe Fondi i Mbrojtjes Evropiane me një madhësi modeste, janë hapa në drejtimin e duhur.

Por pa një udhëheqje politike, vizion të përbashkët dhe me buxhetet e zbrazëta të mbrojtjes nëpër vendet anëtare, nisma të tilla nuk do të arrijnë ndonjë gjë të madhe.

Me përjashtim të presidentit francez, Emmanuel Macron, udhëheqësit e tjerë kombëtarë kanë treguar pak interes në përgatitjen e Bashkimit Evropian për sfidat e një epoke, që ka gjasa t’i mungojë udhëheqja amerikane. Ata nuk kanë qenë efektivë as në ushqimin e partneritetit me Trump.

Mbretëria e Bashkuar është duke dalë jashtë Bashkimit Evropian dhe do të jetë e zhytur në përplasje të hidhura mbi karakterin e vendit pas BREXIT-it. Ndërkohë përpjekjet e Theresa May për të rindezur ‘marrëdhënien e veçantë’ me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk duket se kanë dhënë ndonjë rezultat të dukshëm deri tani.

Kancelarja gjermane Angela Merkel, i ka parë të kufizuara mundësitë e saj në politikën e jashtme, për shkak të politikës elektorale për pjesën më të madhe të vitit të kaluar. Ndaj Berlini s’ka gjasa t’i sigurojë Bashkimit Evropian nxitjen që i duhet, për t’u bërë një lojtare e vërtetë botërore.

Toni i shurdhët i Merkelit në vizitën e saj të kohëve të fundit në Shtëpinë e Bardhë, mentaliteti paqëtues i qeverisë së saj ndaj fuqive revizioniste të botës dhe ushtria pothuajse jo-ekzistente të vendit të saj, janë të gjitha dëshmitare të kësaj pafuqie.

Për të qenë i sinqertë, në botën e transaksioneve të ‘Amerika e Para’, është bërë më e vështirë për Bashkimin Evropian të ofrojë ndonjë gjë të dobishme për Administratën Trump.

Edhe hapja e guximshme e Macron ndaj Uashingtonit, nuk ka gjasa të shënojë ndonjë ndryshim të dukshëm, përveç një shkalle bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit, apo në Siri.

Po ashtu, francezët nuk mund ta ri-formatojnë politikën e jashtme të Bashkimit Evropian sipas imazhit të tyre, pa konsensusin e 26 vendeve të tjera anëtare, për të cilët roli botëror i kontinentit ka përgjithësisht një interes dytësor.

Nëse ‘kombi i domosdoshëm’, i botës do të tërhiqet nga roli i saj aktual, Evropa nuk do të mbushë dot boshllëkun e tij, edhe për shkak se i mungon shkalla e koherencës së nevojshme politike për ta luajtur këtë rol.

Po ashtu mungon gatishmëria – veçanërisht tek motori ekonomik i kontinentit, Gjermania – që t’i kushtojë më shumë burime të rëndësishme mbrojtjes. As Bashkimi Evropian nuk ka aftësinë dhe dinamizmin e nevojshëm ekonomik, për të mbështetur udhëheqjen e saj globale, në fusha të tilla si politika e tregtisë apo teknologjitë e reja.

Në parim, nuk është tepër vonë për t’i ndryshuar këto tendenca. Bashkimi Evropian është ekonomia më e madhe në botë, dhe ende shihet si një model civilizues nga shumë njerëz në mbarë botën. Nëse nxitimi i Trump shërben si thirrje për zgjimin e liderëve evropianë, ai do t’i ketë bërë një favor të madh kontinentit të vjetër. /Politico.eu /Gazeta Ekonomia

Autor: Dalibor Rohac