Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

FaceApp tashmë ka qasje në fotografitë dhe emrat e 150 milionë njerëzve

Gjithkush i ka parë miqtë e tyre duke postuar fotografi që duken të plakur.

FaceApp u ka dhënë njerëzve fuqinë për të ndryshuar pamjet e tyre të fytyrës, por në të njëjtën kohë, njerëzit i kanë dhënë aplikacionit fuqinë për t’i përdorur fotografitë dhe emrat e tyre.

Aktualisht, më shumë se 100 milionë njerëz kanë shkarkuar aplikacionin nga Google Play dhe FaceApp tani është aplikacioni më i shkarkuar në App Store.

Sipas kushteve të përdorimit, FaceApp thotë se, fotografia dhe emri i përdoruesit do të jetë i dukshëm për përdoruesin.

“Ju i jepni FaceAppit të drejtën për të përdorur, riprodhuar, modifikuar, përshtatur, publikuar, përkthyer, krijuar vepra derivative, shpërndarë publikisht përmbajtjen e përdoruesit, emrin e përdoruesit. Kur publikoni, ju ndani Përmbajtjen e Përdoruesit nëpërmjet shërbimeve tona, ju kuptoni që Përmbajtja e Përdoruesit, çdo informacion i lidhur (siç është emri i [username], lokacioni ose fotografia e profilit) do të jetë i dukshëm për publikun”, thotë kompania, shkruan Forbes, përcjell Telegrafi.

Disa përdorues kanë pohuar se FaceApp automatikisht i ngarkon të gjitha e telefonit tuaj në serverat e kompanisë, në momentin e parë që ju e përdorni këtë aplikacion. Sidoqoftë ekspertët e sigurisë kanë hedhur dyshime mbi këtë pretendim.

Në pjesën e aplikacionit që i dedikohet përdorimit të informacioneve thuhet se, “aplikacioni mund të bashkëndajë përmbajtjen dhe informacionet e përdoruesve me kompanitë që bëjnë pjesë në grupin e shoqërisë së FaceApp”.

Ish-menaxheri i Rackspace, Rob La Gesse, tha se përdoruesi duhet t’i jep leje aplikacionit që të qasen në fotografitë e përdoruesit.

“Për ta bërë të mundur që FaceApp në të vërtetë të funksionojë, ju duhet t’i jepni leje që të qaset në fotot tuaja – TË GJITHA. Gjithashtu, aplikacioni merr qasje në Siri dhe Search… Edhe nëse nuk e përdorni aplikacionin, ai është duke iu përdorur juve”, thotë La Gesse.

Po ashtu, senatori amerikan Chuck Schumer, ka kërkuar që të hapet një hetim ndaj aplikacionit FaceApp, i cili i bën përdoruesit të duken më të rinj ose më të vjetër.

Në një dokument të publikuar në Twitter, Schumer e konsideron shumë shqetësues faktin se, “të dhënat personale të qytetarëve amerikane po përfundojnë në duart e një fuqie të huaj armike”.

Shqetësime rreth privatësisë janë ngritur rreth kompanisë ruse Wireless Lab, e cila ka zhvilluar aplikacionin e që u bë viral. /Telegrafi/