Search

Facebook gjobitet me gjysmë milionë sterlina për skandalin e Cambridge Analytica

Facebook zyrtarisht është dënuar me gjobën maksimale prej 500 mijë sterlina (565 mijë euro) nga mbikëqyrësi i të dhënave në Britani të Madhe për dështimin në mbrojtjen e të dhënave personale të përdoruesve në skandalin Cambridge Analytica.

Zyra e Komisionerit të Informacionit (ICO), tha se shkeljet e ligjeve të mbrojtjes së të dhënave në lidhje me një rrjedhje masive të të dhënave për Cambridge Analytica kishin qenë serioze.

ICO tha se hetimi kishte zbuluar se midis viteve 2007 dhe 2014, Facebook i kishte lejuar zhvilluesit e aplikacioneve që t’i qasnin të dhënat personale të përdoruesve në mënyrë të padrejtë. Të dhënat u përdorën “pa pëlqim të mjaftueshëm të përdoruesve”, si dhe në raste që përdoruesit nuk kishin shkarkuar aplikacionin e Facebook, por ishin “miq” me ata që kishin qasje në aplikacion, përcjell Telegrafi.

Skandali i të dhënave të Cambridge Analytica ishte një shtysë tjetër që Facebook të shqyrtojë më mirë për mënyrën sesi mbron të dhënat e përdoruesve të tij.

Gjithashtu, gjiganti i rrjeteve sociale është përballur me një breshëri kritikash për shkak të disa skandaleve të nivelit të lartë. Muajin e kaluar u zbulua një prej shkeljeve më të mëdha të të dhënave në historinë e saj, ku ishin prekur rreth 30 milionë përdorues.

Ditë më parë, Facebook është duke kërkuar që të blej një kompani që merret me sigurinë kibernetike.