Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Federica Mogherini kërkon nga ekipi negociator heqjen e tarifës 100 për qind

Në takimin që u zhvillua të martën në Bruksel ndërmjet ekipit negociator të Kosovës dhe Përfaqësueses së lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Federica Mogherinit, kjo e fundit përsëri kërkoi heqjen e tarifës 100 për qind për mallrat serbe dhe ato boshnjake që vijnë në drejtim të Kosovës.

Një gjë të tillë e ka bërë të ditur Zyra e përfaqësueses së Bashkimit Evropian nëpërmjet një komunikate për media.

“Ky takim ishte për t’u njoftuar me përfaqësuesit e Kosovës në dialogun e Brukselit. Në këtë kontekst, përfaqësuesja e lartë ka përsëritur edhe një herë nevojën urgjente për të hequr vendimin për tarifën, që është vendosur nga Qeveria e Republikës së Kosovës vitin e kaluar”, thuhet në komunikatën e zyrës së Mogherinit.

Gjithashtu, ajo ka kërkuar që të respektohen marrëveshjet që dy shtetet i kanë arritur në Bruksel dhe sipas saj një marrëveshje e paqes do të krijonte edhe një klimë të fqinjësisë së mirë në Ballkan.

“Duhet të krijohet një klimë që i kontribuon fqinjësisë së mirë, ku marrëveshjet e arritura në të kaluarën duhet të respektohen e zbatohen dhe veprimet dhe deklaratat që nuk janë në pajtim me interesin e përgjithshëm dhe objektivat strategjikë për rajonin duhet të shmangen”, thuhet në njoftim.

Pas takimit me Mogherinin, u prononcuan edhe dy kryesuesit e ekipit të dialogut, Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti.

Të dy u shprehën se Bashkimi Evropian është e interesuar për intensifikim të dialogut dhe arritjen e një marrëveshje finale. /Gazeta Ekonomia/