Gazeta Ekonomia

Kupto Ekonominë

Fillon aplikimi për Lotarinë Amerikane – detajet që duhet t’i dini

Departamenti amerikan i Shtetit, përkatësisht Zyra për Çështje Konsullore, njofton se nga data 2 tetor 2019 deri 5 nëntor 2019 do të jetë i hapur aplikimi për programin e vizave emigruese të shumëllojshmërisë (DV) që njihet si Green Card.

Sipas njoftimit në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Prishtinë, për vitin fiskal 2021, do të jenë në dispozicion 55 mija viza DV dhe se regjistrimi për në programin e Lotarisë është falas.

Në udhëzimet rreth programit, thuhet se, individët e lindur në vendin që është i kualifikuar për të aplikuar në program, mund të jenë të pranueshëm për të aplikuar. Gjithashtu, çdo aplikant duhet të ketë arsimin e duhur dhe përvojë pune prej së paku dy vjet.

Udhëzimi tërheq vërejtjen se të mos aplikohet në qoftë se nuk i plotësoni këto dy kushte.

“Regjistrimi në program duhet të kryhen në mënyrë elektronike në www.dvlottery.state.gov. Aplikimet me letër ose aplikimet e vonuara nuk do të pranohen. Ligji lejon vetëm një regjistrim për çdo person gjatë periudhës së regjistrimit. Individët që kanë aplikuar më shumë se një herë gjatë një periudhe regjistrimi do të skualifikohen”, thuhet në udhëzim.

Duke filluar nga 5 maji 2020, për të parë nëse janë përzgjedhur, të regjistruarit e DV-2021 do të mund të përdorin numrin e tyre unik të konfirmimit të dhënë në regjistrim duke kontrolluar online Kontrollin e Statusit të të Regjistruarve në faqen zyrtare të Lotarisë.

Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve do të informojë pjesëmarrësit e përzgjedhur se si të aplikojnë për vizën e Lotarisë për veten e tyre dhe anëtarët e familjes së tyre. Të përzgjedhurit do të mund të mësojnë datën e tyre të intervistës për vizë duke hyrë tek Kontrolli i Statusit të të Regjistruarve.

Vitin e kaluar në këtë program kanë fituar 260 qytetarë nga Kosova. /Telegrafi/