Search

Fillon ‘Java Kundër Korrupsionit’

Në kuadër të ‘Java Kundër Korrupsionit’ të mbështetur nga Ambasada e SHBA-së në Kosovë, Instituti Studime të Avancuara ‘GAP’ dhe Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GSJP) organizojnë tryezën e rrumbullakët ku do të diskutohet lidhur me monopolin në homologimin e veturave dhe faljen e borxheve publike.

“Në fund të vitit 2008, Ministria e Transportit dhe Post-Telekomunikacionit (tani Ministria e Infrastrukturës) ka nënshkruar një kontratë ekskluzive me kompaninë ‘Eurolab’ për homologimin e veturave që regjistrohen për herë të parë në Kosovë, duke i dhënë një autorizim për veprimtari ekskluzive dhjetëvjeçare për periudhën 2009-2019. Për dhënien  e kësaj kontrate, Ministria nuk ka shpallur procedura të tenderimit duke i dhënë qasje ekskluzive vetëm një kompanie. Në këtë tryezë gjithashtu do të diskutohet për efektet e vendimit të Qeverisë së Kosovës për faljen e borxheve për ambalazhuesit e ujit”, bëhet e ditur në njoftimin për media nga ‘GAP’.

Në hapjen e  kësaj jave do të mbajnë fjalime edhe ambasadorët e SHBA-ve, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Italisë, Francës si dhe  Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë. /Gazeta Ekonomia