Search

FMN: Tatimi progresiv mbi pagën në Shqipëri po rëndon shtresën e varfër dhe të mesme

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) hedh poshtë filozofinë e qeverisjes socialiste mbi tatimin progresiv të pagës, që presupozon mbështetje për shtresat sociale duke ndihmuar të varfrit dhe shtresën e mesme e taksuar më shumë të pasurit.

Në një studim të publikuar së fundmi nga dy ekspertë të FMN-së, Ruben Atoyan dhe Jesmin Rahman, llogaritet saktësisht sesi taksohen në të vërtetë pagat e qytetarëve shqiptarë.

Duke marrë në analizë vendet e Ballkanit Perëndimor, autorët thonë se progresioni i taksave mbi pagën është i ndryshëm në të gjithë rajonin. Por ajo që bie në sy, sipas tyre, është se Shqipëria është një ndër vendet që ka luhatjet më të mëdha të taksimit mbi pagën.

Kjo për shkak të tre fashave të pagës mbi të cilat bazohet taksa progresive. Sipas këtij studimi të FMN-së, në nivel absolut, tatimi mbi pagën e shqiptarëve, është i ndryshëm nga ai në përqindje.

Kështu, e shpjeguar në përqindje nga Qeveria, që nga zero deri në 30 mijë lekë paga nuk taksohet, nga 30 mijë e deri në 130 mijë lekë taksa progresive është 13%, dhe nga 130 mijë e lartë norma tatuese është 23%. Duket sikur barrën më të rëndë fiskale e kanë ata që paguhen më shumë.

Por pikërisht këtë teori e hedhin poshtë ekspertët e FMN-së, të cilët kanë llogaritur se në vlerë absolute, kjo ndarje e taksës progresive mbi nivelin e pagave e ka peshën më të madhe mbi shtresën e mesme dhe të varfër të popullsisë.

Kjo do të thotë se ata që kanë një pagë nga 50 për qind deri në 167 për qind të pagës mesatare, taksimi është progresiv, pra në terma absolutë taksa rritet më shumë për ata që paguhen më pak.

Taksimi vijon progresiv, ndonëse në rënie deri në masën e 167 për qind të pagës mesatare. Dhe pas kësaj fashe, sikurse e kanë llogaritur specialistët e FMN-së, taksimi kalon në regresiv, që do të thotë se punonjësit me një pagë më të lartë në terma absolutë paguajnë më pak taksa.